Duke e mbajtur fanellën me numrin pesë, që dikur e mbante veshur Zinedine Zidane, Jude Bellingham kompletoi transferimin te Real Madridi të enjten.
Ai nënshkroi kontratë gjashtëvjeçare me klubin më të suksesshëm evropian.
Bellinghami u fotografua me fanellën e re në ambientin me plot trofe të Real Madridit, pasi i kaloi testet mjekësore dhe e nënshkroi kontratën në praninë e presidentit të klubit, Florentino Perez.
Ai mbajti fjalim të shkurtër dhe falënderoi familjen e tij, si dhe ish-lojtarët te Borussia Dortmundi.
Presidenti Perez ndërkohë e quajti Bellinghamin si një prej lojtarëve më të mirë në botë.
Transferimi i Bellinghamit mund të arrijë shifrën e 130 milionë eurove, ndërsa është vetëm 19-vjeçar.
Ai te Dortmundi u transferua në vitin 2020 nga skuadra e rangut të dytë të futbollit anglez, Birmingham.
Tani ka rrugë të madhe para vetes, teksa synon që t’i përsëritë sukseset e Zinedine Zidaneit.
“Dua ta falënderoj Jesus Vallejon që më lejoi ta marrë numrin pesë. E kam thënë në shumë intervista se sa shumë e çmoj Zinedine Zidanein. Nuk dua që të bëhem i njëjtë si ai. Do të provoj të jem Jude, por do të mundohem t’i afrohem madhështisë së tij”, ka thënë Bellingham.
Ndërkohë, foli edhe për trajnerin Carlo Ancelotti, me të cilin do të punojë te madrilenët.
“Kam pasur pak kontakt me të. Ai është trajner i jashtëzakonshëm. Sukseset e tij, ndeshjet që i ka fituar, trofetë që i ka fituar, flasin vetë. Për mua është mundësi e shkëlqyer për të mësuar nga një prej trajnerëve më të mirë në futboll. I jam shumë mirënjohës që më ka dashur në skuadër”, theksoi Bellingham.