Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bekeles i ikën për dy sekonda rekordi i botës në maratonë

Foto: Reuters

Ish-kampioni olimpik dhe botëror, Kenenisa Bekele, bëri një rikthim sensacional për të triumfuar të dielën në maratonë (vrapim në 42 kilometra e 195 metra) të Berlinit. Por ai në mënyrë dramatike dështoi të thyejë rekordin e botës për dy sekonda, ndërsa regjistroi kohën e dytë më të shpejtë në histori.

Etiopiani Bekele, fitues në Berlin në vitin 2016 dhe rekordmen i botës në 5000 dhe 10 mijë metra vrapim, përfundoi garën për 2:01:41 orë, ndërsa iu afrua shumë pranë rekordit të botës të kenianit Eliud Kipchoge, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Në të vërtetë, Bekele thuajse kishte bërë sprint 400 metra, duke qenë në dijeni se ka gjasa të thyejë rekordin e botës.

Kipchoge, që kishte vendosur rekordin e botës në Berlin vitin e kaluar mungoi, pasi është duke u përgatitur për tentimin e tij për të vrapuar maratonën nën dy orë, tentim që do ta ketë në Vjenë më 12 tetor.

“Unë kam ndier pak dhembje në fillim dhe kam mbetur prapa. Por, pas disa kilometrave nisa të relaksohesha dhe tentova të shtyja më fort. Më vjen shumë keq. Jam i pafat. Jam shumë i lumtur që kam vrapuar rekord personal, por vlerësoj se ende mund të thyej rekordin e botës. Unë nuk do të dorëzohem. Është inkurajuese për të ardhmen”, ka thënë Bekele.

Bekele ishte pjesë e një grupi, përfshirë bashkëkombësit Birhanu Legese dhe Sisay Lemma, që shpejt u shkëput nga të tjerët me një temp të lartë.

Legese, fitues i maratonës së Tokios këtë vit, gradualisht iku nga Bekele e më pas nga Lemma pas 30 kilometrave.

Por Bekele u rikthye, duke kaluar Lemman e më pas edhe Legesen, për të dalë para, por dështoi të thyente rekordin e botës për dy sekonda, ndonëse bëri sprint në fund.

Edhe Dy sekonda larg rekordit, Kenenisa Bekele triumfon në maratonën e Berlinit Sport Dy sekonda larg rekordit, Kenenisa Bekele triumfon në maratonën e Berlinit

“Unë jam rikuperuar nga një lëndim vetëm tre muaj më parë. Përgatitja ime nuk ishte qind për qind. Rezultat fantastik, por më vjen keq që dështova të thyeja rekordin e botës në maratonë për dy sekonda”, ka thënë Bekele.

Legese zuri vendin e dytë me kohë 2:02:48 orë, duke u bërë njeriu i tretë më i shpejtë në histori të maratonës.

Në konkurrencë të femrave etiopiania Ashete Bekere fitoi në një sprint para Mare Dibabas për të përfunduar me kohë 2:20:14 orë, ndërsa tri etiopiane zunë vendet në podium.