Pep Guardiola tha se prania e drejtorit të futbollit, Txiki Begiristain, është arsyeja pse ai është në edicionin e gjashtë në krye të kampionit në fuqi të Anglisë, Manchester City, dhe që e ka zgjatur kontratën deri në verën e vitit 2023.
Struktura e Cityt jashtë fushës është rikthyer në fokus nga kaosi i Manchester Unitedit, ku nënkryetari ekzekutiv në largim Ed Woodward mund të zgjasë qëndrimin e tij në “Old Trafford”, për të mbikëqyrur një emërim të pestë të trajnerit në tetë vjet.
Guardiola pushoi për një vit, pasi u lodh nga katër vjetët si trajner i klubit të tij të fëmijërisë, Barcelonës, dhe qëndroi vetëm tri edicione në krye të gjigantit të Bundesligës, Bayern Munichut. Shumë prisnin një qëndrim të ngjashëm të tij në City, klub që kishte përgatitur bazën për të tërhequr Guardiolën, duke emëruar ish-kolegët e tij të Barcelonës, Begiristainin dhe Ferran Sorianon, në pozita të larta. Së bashku ata kanë ndërtuar një perandori në “Etihad Stadium”, duke fituar tre tituj të Premier Leagues, një FA Cup dhe katër Kupa të Ligës.
“Një nga arsyet pse e zgjata kontratën me Cityn është sepse Txiki është këtu. Tani jam 50 vjeç, ne u takuam kur isha 19 vjeç. Pra, që atëherë ne kemi qenë miq të ngushtë dhe ne punojmë së bashku jashtëzakonisht mirë. Kur fitojmë përpiqemi të analizojmë pse po fitojmë? Kur humbim, pse humbasim? Askush nuk e gjykon tjetrin për të mirë. Unë kurrë nuk jam gjykuar për një rezultat. Të dy punojmë për më të mirën e këtij klubi”, pranoi Guardiola. “Ai është personi më modest që kam takuar. Ai nuk del kurrë në media, ai është gjithmonë në prapaskenë. Nuk gjen shumë nga këta lloj njerëzish në këtë botë, ku egot janë gjithmonë aty. Pra, ai është një përjashtim me atë çfarë ka bërë në Barcelonë, duke krijuar një nga skuadrat më të mira të të gjitha kohërave dhe për atë sesi ka punuar këtu për këto vite. Ai gjithmonë jep meritat për lojtarët, sigurisht për trajnerët dhe të tjerët. Prandaj është kënaqësi për mua të jem këtu, sepse mund ta bëjë punën time”.
City mund të sigurojë një vend në fazën e nokautit të Ligës së Kampionëve me vetëm një pikë në shtëpi ndaj Paris Saint-Germainit të mërkurën. Fitorja ndaj skuadrës franceze të mbushur me yje, do të garantonte vendin e parë në Grupin A.
Trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino, është lidhur me postin e lirë të trajnerit te Manchester Unitedi, pas shkarkimit të Ole Gunnar Solskjaer të dielën. Pochettino është në rrugën e duhur për ta fituar titullin e parë të ligës në karrierën e tij të trajnerit, me PSG-në, që aktualisht prin në Ligue 1 me 11 pikë më shumë se përcjellësi më i afërt.
Edhe
Guardiola largohet nga Manchester City pas dekadës shumë të suksesshme
Por Guardiola tha se e kaluara e Pochettinos si trajner që nuk fitoi trofe me Espanyolin, Southamptonin dhe Tottenhamin, nuk duhet të errësojë punën e shkëlqyer që argjentinasi e bëri në këto klube.
“Mund të jesh top trajner dhe të mos fitosh tituj. Trajnerët që kanë shansin të fitojnë tituj janë në krye, top klube me investime të mira dhe lojtarë të jashtëzakonshëm. Përndryshe, për trajnerët është e pamundur të fitojnë trofe”, shtoi Guardiola. “Kjo nuk do të thotë se trajnerët që punojnë në ekipe të tjera më të vogla nuk mund të jenë të shkëlqyeshëm në taktikë, komunikim e drejtim. Nuk është e nevojshme të fitosh tituj për të qenë trajner i mirë”.