Sport

Bayerni synon gati të pamundurën ndaj Cityt

Bayern Munichu ka një synim gati të pamundur - të avancojë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Për t’u futur në mesin e katër ekipeve më të mira të Championsit, Bayernit i duhet mrekullia, përkatësisht ta përmbysë disavantazhin prej tre golave nga ndeshja e parë dhe atë përballë kampionit në fuqi të Anglisë, Manchester Cityt. Në duelin e parë të çerekfinales, i cili u luajt javën e shkuar në Angli, City triumfoi me shifrat 3:0.

Ndeshja e kthimit do të luhet të mërkurën në Munih prej orës 21:00.

Te Bayerni e kanë parasysh misionin e vështirë, por insistojnë se mund t’ia dalin dhe se asgjë ende nuk ka përfunduar. Mbrojtësi i krahut të djathtë, Benjamin Pavard, në konferencën për shtyp të martën ka shprehur optimizmin.

“Ne jemi gati për këtë ndeshje. E kemi parasysh se ndeshja e parë nuk ishte aspak mirë, por këtë herë kemi përkrahjen e tifozëve dhe mund t’i ndryshojmë gjërat me angazhim të madh. Edhe në të shkuarën kemi parë rikthime të tilla në Ligën e Kampionëve dhe për këtë arsye nuk jemi të dorëzuar. Jemi përgatitur mirë dhe do të japim gjithçka nga vetja për të tentuar që të bëjmë diçka më shumë. Sigurisht që nuk është lehtë për shkak se përballemi me një ekip të fortë si Manchester City, por në Ligën e Kampionëve nuk ka kundërshtar të lehtë”, ka insistuar Pavard.

Humbja e javës së shkuar nga City ka reflektuar te Bayerni edhe në Bundesligë. Në ndeshjen e fundit kampionale, Bayerni barazoi 1:1 në shtëpi kundër Hoffenheimit që po lufton për mbijetesë. Pavarësisht barazimit, Bayerni ka mbajtur vendin e parë në tabelë me 59 pikë, dy më shumë se Borussia Dortmundi që zë vendin e dytë, kur kanë mbetur edhe gjashtë xhiro deri në fund të sezonit.

Bayernit ndaj Hoffenheimit i mungoi Sadio Mane, i cili do të jetë gati për duelin me Cityn. Mane ishte i pezulluar për duelin me Hoffenheimin për shkak se kishte grushtuar bashkëlojtarin e tij, Leroy Sane, në zhveshtore pas disfatës nga City. Mane ka marrë edhe një gjobë prej 300 mijë eurosh për veprimin e tij të pahijshëm. Ai do të jetë në dispozicion të trajnerit Thomas Tuchel, por nuk dihet nëse do të startojë.

Tuchel nuk ka folur për Manen pasi ka qenë i fokusuar te ndeshja me Cityn, të cilën e ka vlerësuar si tejet të rëndësishme.

“Nuk mund të krijojmë mrekulli vetëm duke folur. Duhet të flasim në fushë dhe rezultati 3:0 i vështirëson gjërat, por nuk i bën edhe të pamundura. Ne besojmë se mund të fitojmë të dy pjesët ndaj Cityt. Nëse e bëjmë një gjë të tillë, atëherë gjithçka është e mundur. Po ashtu na duhet edhe pak fat i cili na mungoi në ndeshjen e parë. Kjo ndeshje ka të bëjë me detajet, ndërsa ne besojmë në cilësitë tona. Në të njëjtën kohë besimi nuk do të thotë të ëndërrosh, por të jep përgjegjësi të japësh më të mirën nga vetja dhe ne duhet ta bëjmë këtë. Gjithashtu do ta kemi edhe përkrahjen e tifozëve dhe kjo është shumë e rëndësishme”, është shprehur Tuchel. “Ne u ndëshkuam keq në ndeshjen e parë, por gjërat mund t’i bëjmë dhe do t’i bëjmë shumë më mirë dhe për këtë jam më se i bindur pasi kemi punuar dhe jemi munduar t’i eliminojmë gabimet. Ende jemi në lojë dhe do të shohim. Sigurisht, duhet pranuar se është një sfidë e vërtetë të luajmë kundër Cityt dhe të tentojmë ta eliminojmë në çerekfinale”.

Ndërkohë, trajneri i Cityt, Pep Guardiola ka thënë se pret ta shohë një Bayern krejt tjetër në fushë prej atij që u paraqit në “Etihad Stadium”. Sipas trajnerit spanjoll, Bayerni do ta ketë ndeshjen e tij më të mirë të sezonit të mërkurën mbrëma dhe për këtë tashmë ka paralajmëruar futbollistët e Cityt. Ai shpreson që City të ketë një paraqitje sikurse në ndeshjen e parë, në mënyrë që ta konfirmojë kalimin në gjysmëfinale të Championsit.

Cityt të martën në stërvitje iu kthye Phil Foden, i cili mungoi ndaj Leicester Cityt. Sa i përket Premier Leagues, City ka zvogëluar në katër pikë diferencën në tabelë me Arsenalin që është lider. City ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

“Duhet të shohim nëse do të jemi në gjendje të luajmë sikur në shtëpi, ku treguam kurajë dhe imponuam lojën tonë. Bëmë shumë gjëra të mira dhe për këtë arsye duhet t’i përsëritim të njëjtat në ndeshjen e kthimit. Dua ta shoh një ekip që del në fushë për ta fituar ndeshjen për shkak se nuk do ta kemi aspak lehtë kundër Bayernit edhe pse kemi epërsinë. E di mirë se si është të luash kundër Bayernit, nëse je pak pasiv atëherë do të vuash”, është shprehur Guardiola. “Mund ta paramendoj se si është përgatitur Bayerni për Cityn. Me bindje të plotë e them se paraqitja më e mirë e Bayernit këtë sezon do të jetë të mërkurën mbrëma. Andaj, jemi gati për një gjë të tillë”.

Guardiola ka thënë se telashet e fundit me senegalezin Mane nuk e kanë prishur atmosferën te bavarezët, por vetëm e ka forcuar dhe përmirësuar më shumë skuadrën gjermane.

“Nganjëherë të duhet një konflikt për ta bashkuar ekipin edhe më shumë. Kështu që ky problem nuk është pikë e dobët, por e fortë për Bayernin dhe gjermanët do të jenë më të motivuar se kurrë”, është shprehur Guardiola, i cili ka drejtuar Bayernin prej vitit 2013 deri në vitin 2016.

Dueli tjetër i së mërkurës mbrëma është ai ndërmjet Interit dhe Benficas. Interi ka epërsinë 2:0 prej ndeshjes së parë që u luajt javën e shkuar në Portugali.

E mërkurë (21:00)

Bayern M. – Man. City (3:0)

Inter – Benfica (2:0)

*Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para