Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bayerni nis rrugëtimin pa Lewandowskin në sezonin e ri

Bayern Muencheni përballet me Leipzigun në Superkupën e Gjermanisë të shtunën, në ndeshjen e parë zyrtare që nga largimi i Robert Lewandowskit dhe ardhja e Sadio Manes.

Skuadra e trajnerit Julian Nagelsmann, që e fitoi titullin e dhjetë rresht në Bundesligë sezonin e kaluar me 35 golat e Lewandowskit në ligë, ka qenë e zënë në tregun e transferimeve. Lojtari afrikan i vitit, Mane, mbërriti nga Liverpooli pas gjashtë vjetësh të mbushur me trofe me ekipin anglez, ndërsa qendërmbrojtësi holandez, Matthijs de Ligt, u bashkua nga Juventusi për 67 milionë euro.

Dyshja e Ajaxit, Noussair Mazraoui dhe Ryan Gravenberch, gjithashtu, kanë nënshkruar për Bayernin, ndërsa adoleshenti Mathys Tel shkëmbeu Rennesin për bavarezët si një zëvendësues i mundshëm afatgjatë për Lewandowskin. Polaku u largua nga Bayerni për në Barcelonë pasi shënoi 344 gola për bavarezët, i dyti në listën e tyre të të gjitha kohërave pas vetëm Gerd Muellerit. Por, Nagelsmanni beson se marrëveshja për t’ia shitur Barcelonës sulmuesin, me vlerë 45 milionë euro, ishte e mirë për klubin e tij.

“Ishte një marrëveshje e mirë për Bayernin”, pranoi Nagelsmann. “Është e vështirë. Ai ka shënuar shumë gola dhe ka qenë një nga yjet e mëdhenj të Bayernit. Por ai do të ishte larguar gjithsesi, nëse nuk do të ishte këtë sezon, do të ishte sezoni tjetër, kështu që ne do ta kishim atë sfidë një vit më vonë dhe kjo është arsyeja pse marrëveshja nuk është aq e keqe për Bayernin”.

Kampioni gjerman do të duhet të përshtatet me jetën pa një pikë qendrore të natyrshme në fazën e sulmit. Mane mund të luajë nga mesi në një treshe më të rrjedhshme së bashku me Serge Gnabryn dhe Thomas Muellerin. Ndeshja në stadiumin “Red Bull Arena” do të jetë një shans për të dyja skuadrat që të japin një paralajmërim për sezonin e ri, me ish-klubin e Nagelsmannit, Leipzigun, që shpreson të fillojë fuqishëm pasi fitoi trofeun e parë të madh në Kupën e Gjermanisë sezonin e kaluar.

Edhe Bayerni e ka Kanen në sulm, por i duhet një portier për edicionin e ri Sport Bayerni e ka Kanen në sulm, por i duhet një portier për edicionin e ri

“Është një lojë e rëndësishme, sepse është një trofe në pyetje, por edhe për të bërë një paralajmërim”, tha Nagelsmann. “Leipzigu është një klub i ri i uritur që gjithmonë dëshiron ta sfidojë statusin e Bayernit. Është e rëndësishme të jepni një sinjal në këtë ndeshje dhe të tregoni forcën tuaj”.

Mane, i cili shënoi 120 gola me fanellën e Liverpoolit, ka shënuar në të dy paraqitjet e tij parasezonale për Bayernin.

“Ju mund ta shihni se ai e di se është i nevojshëm kur i duhet më së shumti ekipit”, shtoi Nagelsmann për sulmuesin senegalez. “Jam i sigurt se ai do të luajë një lojë shumë të mirë dhe do të jetë vendimtar në sezonin e ri”.

Ndeshja do të luhet, ndërsa Bayerni përpiqet të bëjë një përparim në përpjekjen për të nënshkruar me mesfushorin e Austrisë, Konrad Laimer, nga Leipzigu. Strategjia e transferimeve të Bayernit këtë vit ka treguar një shkëputje të qartë nga taktikat e zakonshme për të sulmuar grupin e talenteve të klubeve të tjera të Bundesligës. Bayerni u kritikua kohët e fundit nga drejtori menaxhues i Leipzigut, Oliver Mintzlaff, ekipi i të cilit humbi Dayot Upamecanon dhe Marcel Sabitzerin që u transferuan te rivali më i madh në Bundesligë.

“Kam një marrëdhënie shumë të mirë me Oliverin”, këmbënguli Nagelsmann. “Ne flasim shumë shpesh në telefon. Gjithçka është në rregull”.

Edhe Bayerni e Leipzigu luajnë për Superkupën e Gjermanisë Sport Bayerni e Leipzigu luajnë për Superkupën e Gjermanisë

Bayerni mund të fillojë një epokë të re, por pa marrë parasysh rezultatin të shtunën, ata do të jenë favoritët kryesorë për një kurorë të 11-të radhazi në Bundesligë këtë sezon.

Në serinë prej 10 titujsh radhazi, Bayerni ka përfunduar së paku 10 pikë përpara ekipit të vendit të dytë në tetë raste në tabelë. Kështu që, Leipzigun e pret një punë e vështirë në sezonin e ri në Bundesligë, i cili nis javën e ardhshme.