Sport

Bayerni kthen Rummeniggen në bordin mbikëqyrës

Ish-shefi ekzekutiv, Karl-Heinz Rummenigge, kthehet te Bayern Munichu por në një rol tjetër. Rummenigge është kthyer si anëtar i bordit mbikëqyrës të klubit bavarez.

Bayerni të martën njoftoi se Rummenigge, 67-vjeçar, ish-lojtar dhe zyrtar i klubit përpara se t’ia lironte vendin Oliver Kahnit në dhjetor të vitit 2021, është kthyer për të siguruar se suksesi i tij me klubin do të vazhdojë edhe më tej.

“Ai është një prej figurave më të mëdha në historinë e klubit tonë. Të gjithë e njohin dhe e dinë se çfarë ka bërë Rummenigge për Bayernin”, tha presidenti i klubit gjerman, Herbert Hainer. “Përvoja e tij, kompetencat e tij dhe njohjet ndërkombëtare që i ka, do ta ndihmojë shumë Bayernin që të jetë edhe më i suksesshëm në të ardhmen. Kjo është arsyeja e kthimit të tij në klub”.

Bayern Munichu ishte pa drejtorin sportiv Hasan Salihamixhiq dhe pa shefin ekzekutiv, Kahn, të shtunën, kur e fitoi titullin e 11-të rresht në Bundesligë për të vendosur rekord të ri. Si Salihamixhiq ashtu edhe Kahn u shkarkuan para ndeshjes së fundit të edicionit 2022/23, të cilin Bayerni e mbylli me vetëm një trofe, pas dështimit në Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampionëve.

Bayerni e prezantoi shefin e ri ekzekutiv, Jan-Christian Dreesen, i cili do ta zëvendësojë Kahnin. Pas prezantimit të tij, presidenti Herbert paralajmëroi se do ta propozonte kthimin e Rummenigges në klub.

“Të gjithë ishin pro rikthimit të tij, pasi Rummenigge është emër i madh në klubin tonë”, u shpreh Herbert pas takimit të bordit të Bayernit.

Rummenigge si lojtar ka shënuar 162 gola në 310 paraqitje kampionale për Bayernin, ekip me të cilin ka fituar edhe Kupën e Evropës në vitet 1975 dhe 1976. Ai gjithashtu ka fituar dy tituj kampioni të Bundesligës dhe dy Kupa të Gjermanisë, përpara se të largohej nga Bayerni në vitin 1984 për t’iu bashkuar Interit.

U kthye te Bayerni në vitin 1991 si nënkryetar i klubit dhe ishte shef ekzekutiv prej vitit 2002 deri në kohën kur Kahn e zëvendësoi.

Bayerni ka fituar 14 tituj kampioni, 10 kupa të Gjermanisë dhe dy trofe të Ligës së Kampionëve gjatë asaj kohe dhe Rummenigge ka ndihmuar fuqinë bavareze që t’i rritë të hyrat nga 176 milionë në 679 milionë euro. Tani Rummenigge do të jetë pjesë e bordit mbikëqyrës të klubit. Ky bord përfshin Hainerin si president, pastaj Jan Heinemannin (Adidas), Markus Duesmann (Audi), Werner Zedelius (Allianz) e Thorsten Langheim (Deutsche Telekom).

Uli Hoeness është president nderi, ndërsa Dieter Mayer ka rolin e nënkryetarit.