Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë pas ndeshjes së fituar ndaj Dritës se futbollistët janë meritorët për këtë fitore të madhe.
Llapi shënoi fitore të rëndësishme në garën për titull, duke mposhtur 1:0 Dritën në Gjilan.
“Mendoj se ndeshjet derbi vendosen nga detajet e vogla. Luajtën dy skuadra cilësore dhe jam i lumtur që e nisëm mbarë Superligën, sidomos me fitore ndaj Dritës që me vite të tëra është skuadër e fortë dhe gjithnjë në pjesën e sipërme të tabelës. Duhet ta potencoj se djemtë janë më meritorët. Unë e shoh futbollin më ndryshe se të tjerët dhe i pranoj gjitha rezultatet. Djemve ju them se përgjegjësinë për humbje e marr unë, ndërsa ju jeni meritorë për fitore. Planifikuam të dilnim me krah dhe ashtu edhe shënuam. Drita na vuri në vështirësi, por mendoj se mbrojtja funksionoi mirë dhe mesfusha vrapoi shumë. Dritës i uroj suksese në vazhdimësinë e kampionatit, ndërsa ne do të mendojmë për ndeshjen e radhës”, deklaroi Batatina për “ArtMotion” pas ndeshjes.