Sport

Batatina: Nuk na mundi Drita, por gjyqtari Nuza

Llapi është mposhtur pas tri fitoreve të njëpasnjëshme në Superligë. Humbja nga Drita (3:1) në stadiumin e vet, e ka lënë të dëshpëruar trajnerin e skuadrës llapjane, Tahir Batatinën.

Batatina pas ndeshjes tha se nuk është mposhtur nga Drita, por nga gjyqtari Genc Nuza.

“Mendoj se nuk ishte rezultat real pas paraqitjes që e patëm. Kemi arritur fitore 6:0 kur referimi është mirë. Djemtë i përgëzoj për angazhimin. Kjo ndeshje i shkon Nuzës që dha penallti të lehtë dhe karton të kuq. Këtu ka ardhur me synim të caktuar. Kjo nuk i konvenon futbollit. Duhet të na lënë të luajmë futboll. Llapit i është bërë e padrejtë me stadium, pasi nuk na u lejua të luajmë në bari artificial. Pastaj vijnë gjyqtarët dhe bëjnë referim të tillë. Nuk na mundi Drita, por gjyqtarët. Nuza e di mirë çfarë ka bërë sot. VAR-i është zbatuar vetëm kur i ka konvenuar. Nuza është dy metra distancë dhe shkon e sheh rastin në VAR. Kjo tregon se ‘kur dua e shikoj VAR-in, kur dua nuk e shikoj’. Dritës ia uroj fitoren, por edhe arbitrave. Iu ka hyrë frika në palcë nga Llapi pas tri fitoreve rresht. Por Llapi nuk do të ndalet. Nuk është e drejtë të dëmtohemi në këtë mënyrë. Kur të luajmë kundër Dritës do të ishte mirë të referonte dikush tjetër”, ka thënë Batatina pas ndeshjes.