Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Batatina i kënaqur me paraqitjen, premton se Llapi do të jetë në katërshen e parë

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në fitoren ndaj Drenicës.

“Ndryshimet në skuadër e duan kohën e vet. Kemi punuar që të kthehemi, të komponohemi. Kemi zhvilluar ndeshje të mirë, ndonëse kemi pasur disa gabime, sidomos në defanzivë. Më gëzon fakti që Festim Alidema shkëlqeu. Atij i është dashur kohë që të kthehet”, ka theksuar Batatina.

Sipas tij Llapi nuk është dorëzuar në garën për titull të kampionit. Ai thotë se Llapi po kthehet në formën më të mirë.

“Gradualisht skuadra po e merr formën e vet. Jemi afër katërshes së parë. Do të bëjmë maksimumin. Drenica luan futboll mirë jashtë, luan me pasime të shkurtra. Pasuam dy gola edhe për shkak të pakujdesisë. Llapi ka potencial. Në janar do të reagojmë në disa pozita dhe prapë do të jemi në katërshen e parë”, ka shtuar Batatina.

Ai ka folur edhe për Gerhard Prognin që shënoi golin e parë me Llapit. “Çdo lojtar i cili lëviz nga skuadra në skuadër e do kohën për komponim. Progni e ka kuptuar filozofinë e lojës së Llapit. Ai do të jetë vendimtar në ndeshjet që i duhet Llapit. Progni është prej lojtarëve më cilësor në ligën tonë. Do të jetë shtyllë e skuadrës”, ka theksuar trajneri llapjan.