Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Batatina befason, thotë se fitorja 3:2 nuk ishte rezultati real

Rezultati 3:2 nuk ishte real në takimin që Llapi e fitoi ndaj Lirisë në Prizren të shtunën, në 1/8 e finales së Kupës së Kosovës në futboll. Kështu ka thënë trajneri i llapjanëve, Tahir Batatina, pas ndeshjes.

Llapi u kualifikua në çerekfinale të garës, por Batatina mendon se skuadra e tij u desh të fitonte shumë më thellë.

“Jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve. Gjithmonë ndeshjet e para janë të vështira. Mendoj se kemi qenë të kujdesshëm, të vëmendshëm. Liria ka skuadër të mirë pasi e eliminoi Dritën. Ne morëm të gjitha masat për ta mposhtur Lirinë. Hasëm në vështirësi në pjesën e parë pasi pranuam gol, por nuk u dorëzuam. Pas pjesës së dytë sulmuam Lirinë dhe shënuam edhe golin e tretë dhe ishim më të qetë. Por, rezultati real do të duhej të ishte 5:1. Nëse shënon tre gola, duhet të shënosh pesë gola. Nëse shënon pesë, duhet të shënosh gjashtë gola. Pranuam një gol në fund. Duhet të jemi të vëmendshëm që të mos pranojmë gola në ato momente. Megjithatë, bëmë ndeshje të mirë. Treguam se Llapi do ta ketë një skuadër solide në stinorin pranveror. Objektivi jonë është Kupa, këtë nuk e fshehim”, ka thënë Batatina, që me Llapin e ka fituar Kupën e Kosovës në dy edicionet e fundit.