Bashkimi i Prizrenit është fitues i Kupës së Kosovës në basketboll në konkurrencë të femrave. Të dielën pasdite në finalen e luajtur në Pejë, Bashkimi e mposhti Prishtinën me rezultatin bindës, 69:54.
Denise Shakyla kishte shifrat më të mira te Bashkimi. Ajo ndeshjen e mbylli me 11 pikë, 13 kërcime e shtatë asistime.
Besjana Martinaj e Sara Vraniqi realizuan nga 18 pikë. Vraniqi i kishte edhe nëntë kërcime. Me 15 pikë e 12 kërcime ndihmoi Monique Coker.
Prishtinës nuk i kryen punë 15 pikët dhe 18 kërcimet e Sarah Mgbeike.
Bashkimi ka fituar Kupën e Kosovës për herë të gjashtë. Për herë të parë e kishte fituar në vitin 1998, ndërsa për herë të fundit në vitin 2020.