Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Basketbolli i Kosovës meriton një vend special në FIBA, thotë Demirel

Turgay Demirel, Presidenti i FIBA Evropës, po qëndron në Kosovë dhe sot është takuar me kryetarin e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, dhe Sekretaren e Përgjithshme, Elvira Dushku.

Zyrtarët e FBK-së e kanë njoftuar Demirelin për rrjedhën e Kampionatit Evropian, Divizioni B, për femra U20, që po mbahet në Prishtinë, transmeton Koha.net. Kjo është hera e parë që një kampionat evropian i Divizionit B po mbahet në Kosovë dhe deri më tani organizimi ka shkuar për mrekulli.

Demirel është shprehur i kënaqur për mbarëvajtjen e Kampionatit dhe punën që po bënë FBK-ja për organizimin e tij.

Gjithashtu, Demirel edhe një herë është shprehur se do të ndihmojë basketbollin e Kosovës. Ai theksoi se basketbolli i Kosovës ka bërë hapa të mëdha dhe meriton një vend special edhe në FIBA.

Demirel, po ashtu, sonte gjatë ditës do të shikojë dy ndeshjet e Evropianit U20, Irlanda-Izraeli dhe Rumania-Finlanda.

Ai, po ashtu, sonte do të shikojë edhe përballjen mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe në parakualifikimet e Eurobasket 2021.