Skuadra e Golden Eagle Yllit, që ditë më parë shkarkoi trajnerin Dragan Radoviq për rezultate të dobëta, do të kërkoj t’i kthehet fitores ndaj Ponte Prizrenit, në kuadër të xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Kjo ndeshje luhet të mërkurën (15:00) në Suharekë, ka njoftuar Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK). Ylli në këtë takim futet pas dy humbjeve rresht derisa Ponte Prizreni pas dy fitoreve. Të dy ekipet kanë tubuar nga 11 pikë. Të mërkurën në të njëjtën kohë do të luhet edhe dueli ndërmjet Vëllaznimit e Rahovecit, në Gjakovë. Skuadra gjakovare është në seri të mirë pasi në dy ndeshjet e fundit ka mposhtur Sigal Prishtinën edhe Pejën.
Ndërkohë, kjo xhiro mbyllet të enjten me dy ndeshje tjera që startojnë prej orës 15:00. Sigal Prishtina e pret skuadrën e Pejës derisa në Mitrovicë do të luhet dueli mes Trepçës dhe Bashkimit.