Dueli mes Trepçës dhe Bashkimit, do të jetë dueli më interesant i ditës së sotme në kuadër të xhiros së 16 të Superligës së Kosovës në basketboll. Ndeshja në palestrën “Minatori”, zhvillohet prej orës 19:00.
Trepça, aktualisht zë vendin e katërt në tabelë me 24 pikë të mbledhura, katër më shumë se Bashkimi që renditet i parafundit. Skuadra mitrovicase në këtë duel futet pas një serie prej dy fitoreve rresht. Ndërkohë, Bashkimi vjen pas triumfit që e pati kundër skuadrës së Vëllaznimit. Megjithatë, kjo nuk është ndeshja e vetme që do të zhvillohet sonte.
Në Gjakovë, skuadra e Vëllaznimit e pret Rahovecin në duelin tjetër, i cili po ashtu nis në orën 19:00. Me këto dy përballje edhe mbyllet xhiroja e 16 e elitës së basketbollit kosovar. Po ashtu, këto janë edhe duelet e fundit për këtë vit pasi Superliga do të jetë në një pushim deri më datën 7 janar.