Përderisa shumica e ekipeve të meshkujve në basketbollin e Kosovës, ende nuk kanë filluar të mendojnë për përforcime për edicionin e ri, skuadra kampione në konkurrencën e femrave, Bashkimi tashmë ka kompletuar ekipin.
Pasi ka kthyer tri basketbollistet vendore që edicionin e shkuar ishin pjesë e KB Kalaja: Vlera Vraniqi, Enisa Olloni e Elmedina Cenollari, kryesia e klubit ka angazhuar edhe dy të huaja, raporton Koha Ditore.
Bëhet fjalë për amerikanet Mari Stewart dhe Danisha Shaw, e cila së fundi ka bërë karrierë në elitën e basketbollit të femrave në Argjentinë.
Te Bashkimi bëjnë të ditur se gjatë kësaj jave, basketbollistet vendore do të nisin fazën përgatitore për edicionin e ri kurse përforcimet e huaja, do t'iu bashkohen në ditët e para të muajit shtator. Edicionin e ri, Bashkimi do të nis me ndeshjen e Superkupës kundër Sigal Prishtinës që ka fituar Kupën e Kosovës.
Edicionin e shkuar, Bashkimi riktheu titullin e kampionit në Prizren pas shtatë vjetësh pritjeje, pasi pjesën e dytë e përfundoi pa asnjë humbje. Bashkimi edhe edicionin e shkuar në radhët e veta pati lojtare amerikane, të cilat ishin të parat në basketbollin e femrave në Kosovë.