Klubi londinez pritet të kalojë në duart e një pronari të ri.
Pretendentët të cilët dëshirojnë të blejnë Chelsea sa vijnë e po shtohen, pavarësisht që “Blutë” vazhdojnë të këmbëngulin se nuk janë në shitje.
Pronari Roman Abramovich që është në krye të klubit prej 15 vitesh besohet se tani dëshiron të përfitojë në maksimum nga investimi i tij.
Një prej miliarderëve të interesuar është Sir Jim Ratcliffe, njeriu më i pasur në Britani. Ai është drejtues në një kompani ndërkombëtare kimike dhe raportohet se ka një pasuri prej 21 miliardë funtesh, transmeton kp.
Një tjetër emër, i cili po qarkullon së fundmi, është ai i Paul Allen, i cili ka në pronësi skuadrën e basketbollit Portland Trail Blazers e atë të futbollit amerikan Seattle Seahawks. Flitet se 65-vjeçari është takuar me mikun e ngushtë të Abramovich, Pini Zahavi, të cilit i është lënë detyra për të gjetur mundësi shitjeje të klubit.
Allen ishte një nga krijuesit e Microsoft, së bashku me Bill Gates, dhe ka pasur gjithmonë interes në sporte. Kjo mund të jetë një shtysë e fortë për të, pasi edhe tifozët do të donin një njeri i cili njeh mjaft mirë menaxhimin e një skuadre.