Prishtinë, 12 dhjetor – “Kosova është si shtëpia jonë”. Kështu thotë Ercan Çakiroglu, trajner i xhudisteve të Galatasarayt dhe i përfaqësueses së Turqisë (vajzat).
Çakiroglu vlerëson shumë lart bashkëpunimin që ekipi i xhudos së Turqisë ka me ekipin e Kosovës. Ky bashkëpunim solli lavdinë për klubin e njohur turk, Galatasaray.
Xhudistet e Galatasarayt të shtunën e fituan Ligën e Kampionëve, garën kryesore evropiane për ekipe të xhudos. Rol vendimtar në suksesin e Galatasarayt kishin dy xhudiste kosovare, Distria Krasniqi e Laura Fazliu. Distria e Laura në garën e Championsit të mbajtur në Paris i zhvilluan nga tri luftëra. I fituan të gjitha dhe kështu i mundësuan Galatasarayt të fitojë trofeun kryesor evropian.
Galatasaray fillimisht fitoi ndaj skuadrës franceze, Orleans Loiret Judo Ju. Në gjysmëfinale mposhti skuadrën spanjolle, Valencia. Ndërsa në finale klubi i njohur turke e mposhti favoritin, RSC Champigny.
Në finale, kampionia olimpike, Distria Krasniqi fitoi shpejt e bindshëm. Ndërsa, Laura fitoi luftën e tretë në kohën shtesë. Me fitoren e Laurës, Galatasaray siguroi titullin, ndërsa dy fitoret e tjera më pas ishin formalitet.
Seksioni i xhudos i klubit Galatasaray ka pasur telashe së fundi. Por fitorja në Champions pritet ta kthjellë klubin. Cakiroglu është mik i mirë i Driton Kukës. Trajneri kosovar ka vendosur ta ndihmojë atë, duke ia huazuar dy prej xhudisteve më të mira.
Vet Cakiroglu vjen shpesh për kampe në Kosovë e Shqipëri, së bashku me xhudistet që i drejton. Ndërsa fton ekipin e Kosovës thuajse rregullisht në kampet që mbahen në Turqi.
“Si ekip i xhudisteve të Galatasarayt, kemi fituar kampionatin evropian tetë herë më parë. Gara nuk ka mundur të mbahet vjet, për shkak të pandemisë. Ne kemi dashur të jemi më të mirët në Evropë dhe e kemi arritur këtë. Kjo është shumë me rëndësi. Kjo lavdi ka qenë e rëndësishme për të ardhmen tonë, për sportistët tanë, familjet tona, për klubin dhe për vendin”, ka thënë Ercan Çakiroglu të dielën për KOHËN.
Pas fillimit të bashkëpunimit me Kosovën, Galatasaray ka fituar titullin e dytë të Championsit. Të parin e kishte fituar në vitin 2014 në Rusi.
Për kohë të gjatë për Galatasarayn kanë garuar Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova. Bëhet fjalë për dy gara në fund të vitit, kampionatin e Turqisë dhe Ligën e Kampionëve. Kryesisht Galatasaray ka zënë vend në podium, por këtë herë ishte në nivelin më të lartë të tij.
“Majlinda e Nora kanë garuar për ne për dhjetë vjet. Tani ato janë zëvendësuar nga Disi dhe Laura. Disi e laura i kishin nga tri luftëra dhe i fituan të gjitha. Uroj që Disi e laura të jenë me ne për shumë vjet. Ato na kanë dhënë forcë. Kjo është krenari”, ka shtuar trajneri turk.
Çakiroglu e ka mentor Driton Kukën. Madje shumë më tepër se kaq.
“Kosova është si shtëpi e jona. Ne kemi lidhje kulturore dhe historike. Toni është idoli im sportiv. Trajneri më i mirë në botë, person shumë i mirë. Ai ka shtuar shumë vlera tek unë. Ia kthej me shumë respekt e dashuri. Kam raporte shumë të mira edhe me Agron Kukën, Fatos Tabakun dhe të gjithë në familjen e xhudos në Kosovë. Dëshiroj që miqësia dhe bashkëpunimi ynë të zgjat për shumë vjet”, ka theksuar Çakiroglu.
Sajti zyrtar i Unionit Evropian të Xhudos ka shkruar për shkëlqimin e Distrisë në finale, ndërsa fitoren e Laurës e ka vlerësuar më rraskapitësen. Fazliu kishte fatin që të zhvillonte luftën vendimtare dhe e fitoi atë. Laura për herë të parë ka garuar në Champions.
“Po ndihem shumë mirë dhe jam shumë krenare që kam fituar luftën e tretë, duke ditur që ekipi im është tani kampion. Ishte hera ime e parë në kampionatin evropian të klubeve. Tani po largohem me medalje të artë dhe nuk mund të jem më e lumtur”, ka thënë Laura Fazliu.