Mastersi është garë që mbledh xhudistët më të mirë nëpër të gjitha kategoritë. Këtë herë mbahet në fillim të vitit, prej të hënës e deri të mërkurën. Të hënën garohet në pesë kategori, tri prej tyre të xhudisteve.
Dhe në të gjitha këto kategori Kosova ka nga një adut për medalje. Distria Krasniqi synon medalje në kategorinë deri 48 kilogramë, Majlinda Kelmendi në kategorinë deri 52 kilogramë dhe Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kilogramë.
Është niveli që ka arritur xhudoja kosovare dëshmi se në mastersin në Doha të Katarit mund të fitohen medalje. Si e para në ranglistën botërore, Distria Krasniqi është bartësja e parë në kategorinë deri 48 kilogramë. Ajo është në formë të shkëlqyeshme dhe pritet të vazhdojë me paraqitje në podium. Rivalja më e madhe e Distrisë pritet të jetë Daria Bilodid, ukrainasja me tituj të botës, që kthehet në kategorinë deri 48 kilogramë pas një gare në atë deri 52 kilogramë. Por edhe Funa Tonaki (Japoni) e disa të tjera janë pretendente. Distria në luftën e parë është e lirë, ndërsa menjëherë në të dytën sfidohet nga sllovenja Marusha Shtangar apo serbja Milica Nikoliq.
“A do t’ia dalë Distria Krasniqi të mbajë pozitën e parë në ranglistën botërore në kategorinë deri 48 kilogramë, derisa kampionia e dyfishtë e botës, Daria Bilodid, dhe japonezja Funa Tonaki, po ashtu do të jenë prezente”, ka pyetur sajti zyrtar i IJF-së.
Sajti i Federatës Evropiane ka favorizuar ukrainasen Bilodid.
“E gatshme për të sfiduar ukrainasen do të jetë numri një në botë, Distria Krasniqi, që përkundër bilancit 0:2 me Bilodidin, ka gjetur rrugën drejt podiumit aq rregullisht, saqë ka dalë në vendin e parë në ranglistën botërore”, ka shkruar EJU.
Në kategorinë deri 52 kilogramë, Majlinda Kelmendi është bartësja e katërt. Majlinda ka rënë në vendin e gjashtë të ranglistës botërore për shkak të mungesës së gjatë nga garat. Kampionia olimpike nuk ka garuar që nga nëntori i vitit 2019. Por natyrisht ajo mbetet pretendente e fuqishme për medalje. Majlinda ka punuar shumë prej garës së fundit dhe pritet të shfaqë potencialin që ka.
Sajti i EJU-së ka shkruar për Majlindën si pretendente për medalje, së bashku me tri bartëset e para, Amandine Buchard (Francë), Ai Shishime (Japoni) e Odette Giuffrida (Itali).
Ndërkohë IJF-ja shkruan: “Në kategorinë deri 52 kilogramë, Buchard do të ketë shumë për të bërë me Majlinda Kelmendin, Ai Shishimen apo edhe Odette Giuffridan, duke qëndruar para saj”.
Majlinda në rrethin e parë takohet me rumunen e njohur, Andreea Chitu, ndaj së cilës i ka fituar shtatë përballjet e deritashme. Por Chitu vlerësohet goxha e papërshtatshme.
Në kategorinë deri 57 kilogramë, Nora Gjakova është bartësja e tretë. Ajo aktualisht është e pesta në ranglistën botërore. Vitin e kaluar Nora ka pasur sukses mesatar, marrë për bazë nivelin që ka arritur. Ajo pret një vit të suksesshëm dhe fillimi i mbarë do të ishte shumë i rëndësishëm.
Nora në xhiron e parë është e lirë. Në të dytën pret fituesen e përballjes së Miryam Roper (Panama) me Marica Perishiq (Serbi).
Evropianet kanë pasur telashe për të fituar të artën në këtë kategori në masters. E fundit që e bëri këtë ishte Telma Monteiro (Portugali) në vitin 2011. Ka shpresë që Nora do të sjellë sukses tjetër për Evropën. Bartëse para Norës janë Jessica Klimkait e Kanadasë dhe Tsukasa Yoshida e Japonisë.
Në masters, ku të drejtën e kanë të garojnë 32 xhudistët më të mirë në secilën kategori, do të marrin pjesë edhe Akil Gjakova e Loriana Kuka. Akili garon të martën në kategorinë deri 73 kilogramë, ndërsa Loriana garon të mërkurën në kategorinë deri 78 kilogramë. Akili është bartësi i shtatë, kurse Loriana nuk është bartëse.
Distria Krasniqi ka dy të arta në masters, në vitin 2018 në Guangzhou dhe në vitin 2019 në Qingdao. Majlinda e ka fituar mastersin në vitin 2013 në Tyumen. Nora ka medalje të argjendtë në masters në vitin 2018 në Guangzhou. Loriana e Akili janë në pritje të medaljes së parë në masters.
Në mastersin në Doha garojnë 399 xhudistë nga 69 vende.
“Mastersi është një prej ngjarjeve më të mëdha në botë. Ku marrin pjesë xhudistët më të mirë. Pasi po hyjmë në fazën e fundit para Olimpiadës së Tokios, që është në korrik, u dëshiroj të gjithëve shëndet dhe sukses”, ka thënë presidenti i IJF-së, Marius Vizer.