Barcelona është pajtuar të blejë shërbimet e portierit brazilian, Norberto Murara Neto, nga Valencia për një shumë fillestare prej 26 milionë eurosh, ka thënë klubi nga La Liga të enjten.
Neto do të nënshkruajë një marrëveshje katër vjeçare me Barcelonën që do mbajë atë në klubin katalunas deri në fund të sezonit 2022-23 dhe do të zëvendësojë portierin holandez, Jasper Cillessen, i cili u largua nga Barcelona të mërkurën, rapoton Reuters.
“FC Barcelona dhe Valencia CF kanë arritur marrëveshje për transferimin e lojtarit Norberto Murara Neto”, ka thënë Barcelona në një deklaratë për media, transmeton Koha.net.
“Kostoja e transaksionit do të jetë 26 milionë euro plus 9 milionë tjera shtesë”.
Barcelona ka thënë po ashtu se do të fus klauzolën për shitje prej 200 milionë eurosh në kontratën e Netos dhe 29-vjeçari pritet të jetë zgjedhja e dytë pas Marc-Andre ter Stegenit.
Neto pati 47 paraqitje për Valencian në të gjitha garat sezonin e fundit, dhe 10 ndeshjet e luajtura pa pësuar gol në La Liga ndihmuan ata që të kualifikohen në Ligë të Kampionëve pasi u renditën në vendin e katërt.