Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Barcelona shet asetet për t’i regjistruar transferimet dhe kthyer ditët e lavdishme

 Përpjekjet e Barcelonës për t'u vendosur edhe një herë si një forcë në La Liga dhe Ligën e Kampionëve këtë sezon kanë parë që katalonjasit të zhytur në borxhe të mëdha, të luajnë me të ardhmen e tyre për të bërë një bast të rrezikshëm me shpenzimet verore. Një vit pasi u detyrua të linte Lionel Messin të ikte pasi borxhet e raportuara prej 1.35 miliardë eurosh dëmtuan klubin, Barcelona ka shpenzuar 153 milionë euro vetëm për tarifat e transferimit për të forcuar skuadrën e saj, me Robert Lewandowskin që mbetet njëri prej emrave më të mëdhenj.

“Ky është një sezon vërtet emocionues. Asgjë nuk do të më jepte më shumë kënaqësi sesa t’i bëja të lumtur të gjithë tifozët”, tha trajneri Xavi Hernandez. “Kjo do të thotë të fitojmë trofe. Ky është objektivi ynë kryesor”.

Pas tre vjetësh beteje, brenda dhe jashtë fushës, vera ka parë që shpresa të kthehet në “Camp Nou”, me presidentin Joan Laporta duke folur për një “epokë të re” emocionuese kur klubi zbuloi sulmuesin Lewandowski si lojtar të Barcelonës. “Euforia” ishte titulli në ballinën e së përditshmes lokale “Sport” në të njëjtën ditë. Edhe e përditshmja sportive me bazë në Madrid, “Marca” pranoi se Barça ishte “e frikshme” pas fitores së thellë 6:0 ndaj Pumas UNAM fundjavën e kaluar, kur Lewandowski shënoi golin e tij të parë që nga ardhja e tij prej Bayern Muenchenit. Megjithatë, mënyra se si Barcelona ka shkuar për të mbledhur fondet për të nënshkruar me Lewandowskin, pastaj qendërmbrojtësit Jules Kounde e Andreas Christensen, mesfushorin e Milanit, Franck Kessie, dhe sulmuesin e krahut, brazilianin Raphinha nga Leeds Unitedi, ka ngritur vetullat për shumëkënd.

E përballur me kufizime të rënda në shpenzime për të përmbushur kontrollet financiare të La Ligas, Barcelona e dinte se duhej të mblidhte para shpejt për të qenë në gjendje të investonte në çdo nënshkrim dhe, më e rëndësishmja, të regjistronte ndonjë lojtar të ri për sezonin 2022/23 që starton të shtunën në Spanjë. Drejtuesit e klubit shpejt u nisën me shitjen e aseteve për të sjellë para duke aktivizuar një sërë të atyre që janë quajtur “levave” ekonomike. Klubi i shiti 25 për qind të të drejtave të tij televizive vendase për çerek shekullin e ardhshëm firmës amerikane të investimeve “Sixth Street” për rreth 400 milionë euro.

Barcelona shiti 24.5 për qind të “Barca Studios”, e cila menaxhon biznesin digjital dhe prodhimet audiovizive të klubit, te “Socios.com” për 100 milionë euro më 1 gusht dhe më pas 25 për qind të tjera ia shiti firmës amerikane të investimeve “GDA Luma” për 100 milionë euro më shumë. Në harkun e pak javëve ishin futur 600 milionë euro për të mbushur arkat e klubit. Synimi ishte pastrimi i financave të klubit, mundësimi i rritjes së kufirit të pagave të vendosura nga La Liga dhe lejimi i regjistrimit të të gjitha transferimeve të reja për fillimin e sezonit. Për më tepër, Barcelona nënshkroi marrëveshjen më të madhe të sponsorizimit në historinë e saj me “Spotify”, duke sjellë 435 milionë euro të raportuara për gjigantin e transmetimit të muzikës që të shfaqet në fanellat e klubit dhe do të ketë të drejtat e emrit në stadiumin “Camp Nou”.

Dhe, kështu Barcelona duket e vendosur mirë për t'u bërë sërish pretendente serioze për titullin, ndërsa përgatitet të presë Rayo Vallecano këtë fundjavë. Megjithatë, Barcelona është ende duke pritur që La Liga t'i lejojë ata të regjistrojnë nënshkrimet e tyre të reja, megjithëse shpresojnë të jenë në gjendje ta bëjnë këtë në kohë për sezonin. Në fakt, klubi ka kohë deri të shtunën për ta regjistruar Franck Kessien e Andreas Christensenin, në të kundërtën të dy mund të largohen ashtu siç iu bashkuan klubit javë më parë – falas.

Edhe Barcelona kërkon këndelljen në “El Clasicon” e parë të Lewandowskit Sport Barcelona kërkon këndelljen në “El Clasicon” e parë të Lewandowskit

Vetëm koha do të tregojë nëse hipotekimi i një pjese të aseteve të klubit në këmbim të një fluksi të menjëhershëm të parave do të japë fryte. Në klub, gjithashtu, shpresojnë të lehtësojnë më tej problemet e tyre financiare duke ulur faturën e pagave të lojtarëve. Katalonjasit janë përpjekur të bindin mesfushorin Frenkie de Jong të largohet, me sugjerime që madje janë bërë se një kontratë që ai nënshkroi më 2020 nuk ishte e ligjshme.

Mesfushori holandez thotë se dëshiron të qëndrojë, pavarësisht fyerjeve që po i merr edhe nga tifozët e klubit. Martin Braithwaite, Samuel Umtiti dhe Memphis Depay janë gjithashtu kandidatë për t'u larguar nga “Camp Nou”, me këtë të fundit që thuhet se është objektiv i Juventusit. Për më tepër, janë bërë përpjekje për t’i bindur disa lojtarë, përfshirë Gerard Piquen dhe Sergio Busquetsin, të pranojnë uljen e pagave.

“Mrekullia ekonomike” e Barçës, siç e ka quajtur shtypi, duhet ende të shndërrohet në një mrekulli futbolli.