Befasia e madhe e këtij edicioni në La Liga të Spanjës, Girona do ta ketë një test tjetër të vështirë për të vazhduar ecurinë pozitive. Girona do të jetë mysafire e Barcelonës në ndeshjen derbi të xhiros së 16-të të kampionatit spanjoll. Kjo ndeshje luhet të dielën prej orës 21:00. Girona është e dyta në tabelë dhe ka katër pikë më shumë se Barcelona. Ka tuabuar 38 pikë, sa i ka edhe Real Madridi, i cili është lider vetëm për shkak të goldallimit. Girona, së bashku me Barcelonën e Real Madridi, janë skuadrat e vetme që kanë vetëm nga një humbje këtë edicion në La Liga. Për dallim prej Barcelonës që ka marrë 10 pikë në pesë ndeshjet e fundit, Girona ka tubuar 13 pikë pasi ka regjistruar një barazim karshi katër fitoreve.
Real Madridi do të kërkojë ta mbajë lidershipin dhe shpresoj se do të shkëputet në tabelë pas kësaj xhiroje, duke pasur parasysh duelin mes Gironës e Barcelonës. Real Madridi luan të shtunën dhe prej orës 16:15 përballet në udhëtim me Real Betisin. Edhe Betisi është në formë të mirë, ku ka një seri prej tri fitoreve e dy barazimeve dhe me përkrahjen e tifozëve po shpreson t’ia shkaktoj Realit humbjen e dytë këtë edicion. Betisi ka 13 pikë më pak se Real Madridi dhe zë vendin e shtatë në tabelë.
Në udhëtim luan edhe Real Sociedadi, i cili të shtunën por prej orës 18:30 do të ketë punë me skuadrën e Villarrealit. Ndërkohë, Mallorca e pret në shtëpi Sevillan në duelin që starton prej orës 21:00.
Atletico Madridi përballet me Almerian të dielën prej orës 14:00, ndeshje në të cilën kërkon të kthehet te fitorja pas humbjes që ia shkaktoi Barcelona vikendin e shkuar.