Manchester Unitedi u mposht 1:0 nga Barcelona në ndeshjen e parë çerekfinale, me një autogol të shënuar nga Luke Shaw.
Mirëpo, skuadra e drejtuar nga Ole Gunnar Solskjaer arriti ta mbajë të heshtur për pjesën më të madhe të ndeshjes yllin e Barçës, Lionel Messi.
Argjentinasi dështoi të lërë gjurmët e tij të zakonshme, gjë për të cilën fajësohet goditja që mori në pjesën e parë.
Messi mori një goditje në fytyrë pas një dueli me Chris Smallingun, që e la atë duke derdhur gjak nga hunda nga fundi i pjesës së parë. Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, pranoi se ka ndikuar ajo goditje te Messi, por shpreson që të mos jetë gjë serioze, shkruan “Daily Star”, transmeton “Koha Ditore”.
“Messi nuk ishte komod pas goditjes. Duhet të shohim se si do të jetë. Ai ishte në rregull, por ishte goditje e rëndë”, ka thënë Valverde.
Mirëpo, ai ka refuzuar ta fajësojë Smallingun për incidentin.
“Mendoj se nuk ishte e qëllimshme. Ndihem mirë se kemi nxjerrë një rezultat të mirë dhe kjo lë një shije të mirë”, ka deklaruar trajneri.
Messi pritet të pushohet për ndeshjen e fundjavës që Barcelona e luan në udhëtim ndaj Huescas në La Liga.
“Ishte një goditje e rëndë, Messi ka një shenjë dhe po ashtu gjakoste shumë. Ishte sigurisht e vështirë për të, por ai tregoi fytyrë të guximshme dhe dha maksimumin, siç bën gjithmonë”, ka thënë mesfushori i Barcelonës, Sergio Busquets.
Barcelona ndonëse nuk ishte në formën më të mirë, prapë arriti të nxjerrë fitore në udhëtim.
“Ne bëmë një ndeshje të shkëlqyer në mbrojtje, jemi në formën më të mirë të stinorit sa i përket mbrojtjes. Goli i hershëm na relaksoi dhe e dinim si ta përballonim situatën”, ka thënë qendërmbrojtësi i Barçës, Gerard Pique.