Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkanit ka triumfuar ndaj kampionit të Maqedonisë së Veriut, Shkupit në ndeshjen miqësore të luajtur të martën.
Dueli i luajtur në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër, është mbyllur me rezultatin 2:0 në të mirë të Ballkanit. Golat për ekipin kosovar në këtë miqësore, i shënuan Lumbardh Dellova e Albin Berisha.
Për Ballkanin, kjo është miqësorja e parë në fazën përgatitore që po e kryen në Ohër përpara debutimit në garat evropiane.
Ballkani do të paraqitet në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, sikurse edhe Shkupi. Në raundin e parë, Ballkani do të përballet me Zhalgirisin e Lituanisë, kurse Shkupi do të përballet me Lincoln Red Impsin e Gjibraltarit.