Skuadra e Ballkanit ka shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me skuadrën kampione në fuqi, Feronikelin me rezultat 3:1, në kuadër të xhiros së dytë në Superligën e Kosovës.
Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi ka treguar lojë shumë të mirë dhe në fund me meritë ka arritur t’i gëzohet fitores së parë në këtë edicion, pasi në ndeshjen e parë të kampionatit kishte barazuar 0:0 në Klinë me Dukagjinin.
Blend Baftiu shënoi dy gola në fitoren e Ballkanit, në minutat 5’ dhe 54’, derisa me një gol kontribuoi Besnik Krasniqi, në minutën e 20-të nga penalltia. Në anën tjetër golin e vetëm për Feronikelin e shënoi Haxhi Neziraj, në minutën e 49-të.
Ndërkohë, Gjilani ka shënuar fitore si mysafir në duel me Ferizajn me rezultat bindës 0:3, duke u këndellur në mënyrën më të mirë nga humbja e javës së parë nga Trepça’89.
Golat për gjilanasit i shënuan Januzi (45+2’), Progni (48’) dhe Busic (91’).