Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ballkani fiton miqësoren ndaj Ruzhomberokut

Ballkani ka shënuar edhe fitoren e tretë në Antalia të Turqisë derisa e ka edhe një barazim.

Pas fitoreve ndaj Oleksandriyas dhe Nyiregyhazit, suharekasit të shtunën mposhtën skuadrën e elitës së futbollit sllovak, Ruzhomberok, me rezultatin 2:1.

Albion Rrahmani e kaloi Ballkanin në epërsi në minutën e 20-të të ndeshjes. Ish-sulmuesi i Malishevës nuk gaboi i vetëm përballë portierit kundërshtar.

Megjithatë, tre minuta më vonë, mesfushori Matej Kochan i barazoi shifrat nga penalltia.

Golin e fitores e realizoi Nazmi Gripshi, pesë minuta para fundit.

Kjo ishte edhe ndeshja e fundit përgatitore e Ballkanit para nisjes së stinorit pranveror në futbollin e Kosovës.