Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach u ka kërkuar liderëve botëror në Samitin e G-20 në Bali të Indonezisë që të mbajnë politikën jashtë Lojërave Olimpik. Bach përmendi luftën e vazhdueshme në Ukrainë, duke thënë se ka qeveri që duan të ndalojnë atletët rusë nga garat kualifikuese për Lojërat Olimpike “Parisi 2024” për shkak të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës.
Bach paralajmëroi se “nëse sporti bëhet në këtë mënyrë vetëm një mjet tjetër për të arritur qëllimet politike, sporti ndërkombëtar do të shpërbëhet”.
“Në këtë epokë të ndarjes, roli ynë është i qartë për të bashkuar botën dhe jo për të thelluar ndarjet. Për të përmbushur këtë mision bashkues, IOC duhet të jetë politikisht neutrale për të lejuar nikoqirët e ardhshëm të mirëpresin atletët më të mirë të të gjithë botës, pavarësisht të konflikteve politike. Unë ju bëj thirrje liderëve botërorë, ta mbështesin këtë neutralitet politik”, ka thënë ndër të tjera Bach. Në fillim të këtij viti, Komiteti Paralimpik Ndërkombëtar ndaloi Rusinë dhe Bjellorusinë nga Lojërat Paralimpike Dimërore të Pekinit, pasi atletët nga disa vende thanë se do të refuzonin të merrnin pjesë dhe të garonin në shenjë proteste kundër pushtimit të Ukrainës.