Qeveritë e më shumë se 30 vendeve shkruan një letër të hënën duke i bërë thirrje Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) të qartësojë përkufizimin e “neutralitetit”, pasi IOC-ja po kërkon një mënyrë për të lejuar sportistët rusë dhe bjellorusë të kthehen në skenën ndërkombëtare. Paraqitja eventuale e sportistëve nga këto dy vende në Olimpiadën e Parisit, vitin e ardhshëm, ka ngjallur reagime të shumta.
“Për sa kohë që këto çështje thelbësore, mungesa e qartësisë dhe detajet konkrete për një model të zbatueshëm 'neutraliteti' nuk trajtohen, ne nuk pajtohemi që sportistët rusë dhe bjellorusë të lejohen të kthehen në garë”, thuhet në letrën e dërguar IOC-së.
Mes atyre që nënshkruan letrën ishin zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania, Franca, Kanadaja dhe Gjermania. Këto pesë vende ofruan gati një të pestën e të gjithë sportistëve në Lojërat Olimpike të Tokios në vitin 2021.
Letra ishte produkt i një samiti të 10 shkurtit në Londër midis liderëve qeveritarë, të cilët dëgjuan fjalë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy. Zelenskyy tha se sportistët rusë nuk kishin vend në Lojërat e Parisit për sa kohë që pushtimi ndaj Ukrainës vazhdon.
IOC-ja po përpiqet të gjejë një mënyrë për t’i lejuar rusët në Lojërat Olimpike, duke cituar opinionin e ekspertëve të të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara, të cilët besojnë se rusët dhe bjellorusët nuk duhet të përballen me diskriminim për pasaportat që mbajnë. IOC-ja dëshiron që garuesit e këtyre dy vendeve, që nuk e kanë mbështetur luftën, të jenë në gjendje të garojnë si sportistë neutralë, pa simbolet e vendeve të tyre. Derisa pranuan se kishte një argument që ata të garonin si sportistë neutralë, zyrtarët e qeverive vunë në dukje në letrën e përbashkët se sa ngushtë ndërthuren sporti dhe politika në Rusi dhe Bjellorusi.
Rusia e pushtoi Ukrainën një vit më parë dhe Bjellorusia ka qenë aleatja më e madhe e Rusisë.
“Ne kemi shqetësime të forta se sa e mundshme është që sportistët olimpikë rusë dhe bjellorusë të garojnë si ‘neutralë’, në kushtet e IOC-së pa identifikim me vendin e tyre, kur ata financohen dhe mbështeten drejtpërdrejt nga shtetet e tyre”, vazhdon letra. “Lidhjet e forta midis sportistëve rusë dhe ushtrisë ruse janë gjithashtu një shqetësim i qartë. Prandaj qasja jonë kolektive nuk ka qenë kurrë një qasje e diskriminimit në bazë të kombësisë, por këto shqetësime të forta duhet të trajtohen nga IOC-ja”.
Javën e kaluar presidenti i IOC-së, Thomas Bach, tha se IOC-ja u solidarizua me sportistët e Ukrainës, por gjithashtu shtoi se sportet duhet të respektojnë të drejtat e njeriut të të gjithë sportistëve.
“Historia do të tregojë se kush po bën më shumë për paqen. Ata që përpiqen të mbajnë linja të hapura, të komunikojnë, ose ata që duan të izolojnë apo të ndajnë”, ishin fjalët e Bachut.
Gjithashtu javën e kaluar ligjvënësit e Bashkimit Evropian dënuan përpjekjet e IOC-së për të riintegruar Rusinë në sportet botërore. Parlamenti i BE-së u kërkoi 27 vendeve anëtare që të bëjnë presion ndaj IOC-së për të anuluar vendimin e saj dhe tha se qasja e trupit olimpik ishte “një siklet për botën ndërkombëtare të sportit”.
Letra e së hënës pos që bënte thirrje për qartësi nga IOC-ja, thoshte se mënyra më e shpejtë për Rusinë për t'u kthyer në skenën ndërkombëtare sportive do të ishte “duke i dhënë fund luftës që e filloi”.