Në konferencën e Z Mobile Prishtinës, para ndeshjes kundër ekipit italian Varese në kuadër të FIBA Europe Cup, kapiteni i ekipit, Edmond Azemi, foli për rëndësinë e ndeshjeve me këtë ekip, por në veçanti u fokusua të dueli i parë që do të zhvillohet në Prishtinë.
Sipas tij, Prishtina mund të dalë fituese nga kjo ndeshje, me një angazhim maksimal si dhe përkrahje të tifozëve.
“Përballë e kemi një ekip me traditë dhe të fortë si Varese që bën gara në Serie A. Pavarësisht kësaj, ne jemi të gatshëm për këtë ndeshje. E rëndësishme është që ta fitojmë ndeshjen e parë, në mënyrë që në të kthimit të jemi paksa më të qetë”, është shprehur Azemi, raporto “Koha Ditore”.
“Përkrahja për ekipin nuk do të mungojë. Me përkrahje dhe angazhim maksimal mund ta befasojmë Varesen, duke i shkaktuar humbjen në Prishtinë sikurse ekipeve tjera të Evropës gjatë këtij edicioni”, deklaroi kapiteni i ekipit të Prishtinës.
Te Prishtina për herë të parë në këtë garë do të debutojnë përforcimet Rodney Bullock e Malcolm Armstead, të cilët kanë zëvendësuar Kyan Andersonin e Demario Mayfieldin, tashmë të larguar.