Sulmuesi i Arsenalit, Pierre-Emerick Aubameyang, është ndier i shkatërruar pasi “Topçinjtë” u eliminuan nga Liga e Evropës, duke u mposhtur nga Olympiacosi.
Reprezentuesi i Gabonit mendoi se i siguroi kualifikimin tutje pasi arriti të barazonte në kohën e vazhdimeve me një supergol. Por një gol i grekëve në minutën e 119-të bëri që mysafirët të kalonin tutje falë më shumë golave si mysafirë në ndeshjet e ndërsjella.
Auba pati një rast ideal për të rikthyer gjithçka në sekondat e fundit, por nuk ia doli të shënonte edhe pse të gjithë prisnin që topi të përfundonte në rrjetë.
“Shumë, shumë dëshpëruese. Çfarë mund të them? Është shumë, shumë e rëndë. Ishte ndeshje e vështirë sërish. Goli i minutës së fundit ishte i pafat për ne. Kaq. Nuk e di si e humba rastin. Ndihem shumë, shumë keq. Mund të ndodhë, por nuk e di si e humba rastin. Isha i lodhur, kisha dhimbje, por s’është arsyetim”, ka thënë ai pas takimit, raporton “Goal”.
Eliminimi i Arsenalit nga Liga e Evropës e bën më të vështirë kualifikimin për Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. “Topçinjve” u duhet të paktën vendi i pestë për të marrë pjesë në garën kryesore evropiane. Ekipi i Mikel Artetas është i nënti, katër pikë prapa Manchester Unitedit që është i pesti.