Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Atletico më pranë titullit, por Reali i gatshëm t’ia rrëmbejë atë

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, e ka parasysh se vetëm fitorja në xhiron e fundit ia siguron ekipit të tij titullin e kampionit në këtë edicion të La Ligas. Dhe, në konferencën për shtyp të mbajtur të premten, Simeone insistoi se ekipi i tij është gati për ta fituar ndeshjen më të rëndësishme të sezonit.

Nëse Atletico triumfon të shtunën në udhëtim ndaj Real Valladolidit, atëherë do ta fitojë titullin e kampionit për herë të parë që nga viti 2014.

Simeone insiston se ekipi i tij e meriton plotësisht trofeun e kampionit, pasi ka qenë në krye të tabelës në La Liga që nga muaji dhjetor i vitit të shkuar.

Ndeshjet vendimtare të xhiros së fundit në kampionatin spanjoll luhen të shtunën nga ora 18:00.

“Jemi gati të kujdesemi për ta përfunduar si duhet ndeshjen me Valladolidin, të cilën duhet ta fitojmë. Duhet patjetër të triumfojmë, pasi mendoj se e kemi merituar titullin e kampionit në këtë sezon të rraskapitur. Duhet të kemi kujdes, sepse gabimi më i vogël mund të na kushtojë shtrenjtë. Kjo për shkak se në xhiron e fundit të La Ligas janë dy ekipe që po luftojnë për titull”, ka thënë Simeone.

Edhe Atletico e Arsenali vlerësojnë gjysmëfinalen, por duan finalen e madhe Futboll Atletico e Arsenali vlerësojnë gjysmëfinalen, por duan finalen e madhe

Atletico prin në kampionat me 83 pikë, dy më shume se Real Madridi që duhet patjetër ta mposhtë në shtëpi Villarrealin dhe të shpresojë në gabimin e rivalit të qytetit për t’ia rrëmbyer titullin e kampionit.

Për dallim prej Atleticos, Real Madridi ka punë më të lehtë përballë Villarrealit, ekip që tashmë fokusin e ka te finalja e Ligës së Evropës kundër Manchester Unitedit.

“Ne do të kemi një sy kah ndeshja me Manchester Unitedin, pasi triumfi në këtë finale na dërgon direkt në Champions sezonin tjetër”, ka thënë trajneri i Villarrealit, Unai Emery.

Real Valladolidi po lufton për mbijetesë. Zë vendin e parafundit në tabelë me 31 pikë, dy më pak se Huesca e pozitës së 17-të, që garanton mbetjen në La Liga edhe sezonin tjetër. Trajneri i Realit, Zinedine Zidane, po shpreson në mrekullinë e Valladolidit ndaj Atletico Madridit. Atleticos në këtë përballje nuk i kryen punë as barazimi nëse Reali triumfon.

“Do të japim gjithçka nga vetja në fushë dhe do të përpiqemi maksimalisht. Për ne kjo ndeshje është e rëndësishme dhe duam ta fitojmë. Gjithashtu, shpresoj që të kemi edhe një ndihmë nga ndeshja tjetër, pasi duam ta fitojmë titullin në këtë edicion të vështirë që e kemi pasur”, ka thënë trajneri i Realit, Zinedine Zidane, për të cilin kjo mund të jetë ndeshja e fundit në krye të ekipit.

Edhe Atletico kërkon fitoren e parë Futboll Atletico kërkon fitoren e parë

Përderisa Atletico e Reali po luftojnë për titullin e kampionit, skuadra e Barcelonës do të përpiqet ta mbajë pozitën e tretë në tabelë. Barça do të luajë në udhëtim tek Eibari, që zë vendin e fundit në tabelë. Barcelona në këtë ndeshje do të jetë pa kapitenin Lionel Messi. Barça është e treta në tabelë me 76 pikë, dy më shumë se Sevilla që është e katërta dhe e pret në shtëpi skuadrën e Alavesit të dielën mbrëma. Barcelona në xhiron e parafundit doli jashtë garës për titull.

“Gjëja e vetme që mund të bëjmë është ta mbyllim edicionin me fitore dhe pastaj të shohim se si do të shkojnë gjërat për sezonin tjetër”, ka thënë trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, që ka folur edhe për të ardhmen e tij. “Kam edhe një vit kontratë, por nuk e di nëse do të jem në krye të ekipit edhe për sezonin tjetër. Pas duelit me Eibarin do të flas me krerët e klubit, edhe pse dëshira ime është ta respektoj kontratën deri në fund”.