Atletico Madridi ka një shans për të ringjallur përpjekjen për ta fituar titullin e dytë rresht në La Liga. Real Madridi është tashmë dhjetë pikë përpara në krye të renditjes, ndërsa Atletico i vendit të katërt ka luftuar për të mbajtur hapin me kreun dhe renditet pas Sevillas e Real Betisit. Kampioni në fuqi, Atletico, mund ta mbyllë atë diferencë të pikëve të dielën mbrëma kur të udhëtojë nëpër qytet për të luajtur me Real Madridin në stadiumin “Santiago Bernabeu”. Atletico forcoi skuadrën që sezonin e kaluar i dha fund dominimit shtatëvjeçar të Realit dhe Barcelonës për ta fituar titullin. Me sulmuesin Antoine Griezmann të rikthyer pas një periudhe zhgënjyese në Barcelonë për t'iu bashkuar Luis Suarezit në sulm dhe Rodrigo de Paulin në mesfushë, Atletico dukej e gatshme për të qëndruar për ta mbrojtur titullin edhe këtë sezon. Mirëpo, në vend të kësaj, ekipi nuk ka pasur rezultate të mira, përfshirë barazimin 2:2 me Levanten dhe humbjen nga Mallorca (2:1) në xhiron e fundit. Dhe, këtë e ka shfrytëzuar Reali në mënyrën më të mirë të mundshme. Trajneri Carlo Ancelotti është i bindur se Real Madridi nuk e ka fituar titullin e La Ligës tashmë, por nëse mposht Atleticon, atëherë do të bëjë një hap të rëndësishëm drejt këtij synimi.
“Ne kemi një avantazh, por gara për titull është ende e hapur. Ne nuk mund të mendojmë tani për të fituar La Ligën dhe nuk dua që askush në klub të mendojë kështu. Mirëpo nëse e fitojmë derbin e Madridit, atëherë do të bëjmë një hap përpara”, ka pranuar trajneri italian Ancelotti, që nuk e di nëse sulmuesi Karim Benzema do të jetë i gatshëm për lojë. “Do të presim deri në ditën e ndeshjes dhe do të shohim se a është rikuperuar plotësisht Karimi”.
Edhe nëse nuk luan Benzema, Real Madridi mund të mbështetet te braziliani Vinicius Junior, që ka qenë në formë të jashtëzakonshme kohët e fundit. Me dhjetë gola të shënuar në La Liga, Vinicius po del të jetë njëri prej lojtarëve kryesorë të Realit këtë sezon. Po ashtu, edhe rikthimi i Ferland Mendyt në krahun e majtë ka qenë integral për përmirësimin e ekipit në mbrojtje. Real Madridi nuk ka humbur ende asnjë ndeshje këtë sezon me Mendyn në fushë. Ancelotti ka gjetur gjithashtu një formulë fituese, një formulë së cilës i është përmbajtur në mënyrë rigoroze në javët e fundit si në aspektin e sistemit ashtu edhe të lojtarëve. Treshja me përvojë e mesfushës: Luka Modriq, Casemiro dhe Toni Kroos janë përshtatur në sistemin 4-3-3, ndërsa në qendër të mbrojtjes, David Alaba dhe Eder Militao kanë krijuar një partneritet të fortë.
“Po luajmë mirë dhe pasi përfunduam në pozitën e parë të grupit në Champions është e rëndësishme që të vazhdojmë me fitore edhe në kampionat. Do të jetë një ndeshje e fortë, derbi i vërtetë me një kundërshtar tejet të papërshtatshëm dhe që është kampion në fuqi”, ka pranuar Ancelotti. “Jemi në një seri prej nëntë ndeshjeve pa humbje në të gjitha garat dhe besoj që edhe lojtarët janë të motivuar për të vazhduar me këtë ritëm”.
Në anën tjetër, Atletico do të jetë i motivuar nga kthimi i sulmuesit Luis Suarez. Uruguaiani është stërvitur të premten me ekipin, pasi në ndeshjen ndaj Portos në kuadër të Ligës së Kampionëve u largua nga fusha në fillim të ndeshjes për shkak të lëndimit. Atletico e fitoi ndeshjen me Porton dhe siguroi kualifikimin në fazën e nokautit të Championsit. Pas këtij triumfi, trajneri Diego Simeone ka paralajmëruar se ekipi i tij ndaj Realit do të futet në fushë për ta kompensuar humbjen e fundit dhe të papritur nga Mallorca.
Edhe
Reali në vikend mund të bëjë hap të madh drejt titullit
“Është e natyrshme që tifozët tanë kërkojnë më shumë prej nesh. Kërkesat e tyre na provokojnë dhe na obligojnë që të angazhohemi edhe më shumë dhe të fitojmë secilën ndeshje. Pas Championsit, tani na pret një ndeshje tjetër e rëndësishme në kampionat. Duhet të jemi të fokusuar dhe të bëjmë të pamundurën që të kthehemi fuqishëm pas humbjes nga Mallorca. Gjithashtu, duhet të fitojmë për ta mbajtur hapin me kreun e tabelës”, ka insistuar Simeone.
Atletico ka një ndeshje më pak të zhvilluar se Reali, të cilën do ta luajë më 22 dhjetor ndaj Granadas.