Abraham Majok, vrapues i Sudanit Jugor në 1 mijë e 500 metra distancë, i ka dy synime për Lojërat Olimpike që do të mbahen këtë verë në Tokio të Japonisë.
Së pari dëshiron medalje olimpike dhe së dyti, të vijë me një mesazh për rëndësinë e paqes në vendlindjen e tij të përfshirë nga lufta civile, raporton Reuters.
Majok, së bashku me tre atletë tjerë të Sudanit Jugor, që prej muajit nëntor kanë qëndruar në veriperëndim të Tokios për t’u bërë gati për Lojërat Olimpike.
“Lojërat Olimpike, sipas mendimit tim, janë lojëra të paqes dhe zhvillohen për shkak se bota është në paqe. Si një atlet që vij nga një shtet që nuk është plotësisht në paqe – do të jem në gjendje të shoh përparësitë e saj dhe t’i marr me vete në vendlindje. Ky do të jetë mesazhi kryesor që do t’ua them njerëzve në shtëpi”, ka thënë Majok.
Sudani Jugor është shteti më i ri në botë, fitoi pavarësinë nga Sudani në vitin 2011, por dy vjet më vonë është përfshirë në një luftë civile, transmeton KTV.
Gjatë këtij konflikti janë vrarë 400 mijë njerëz dhe miliona të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre.
Ky shtet është një prej më të varfëve në botë.
Për këtë shkak, atletët e kanë pasur të pamundur të stërviten nëpër qendrat sportive, sepse u mungonin gjërat më bazike të sportit.
Qyteti Maebashi në Japoni, duke parë kushtet e rënda të atletëve sudanezë, vendosi që t’i mirëpresë shumë muaj para Lojërave Olimpike.