Kur Ammar Taifouri i Sudanit kishte dëgjuar të shtënat me armë për herë të parë jashtë dhomës së hotelit, i kishte shpërfillur ato dhe e kishte vazhduar gjumin. Ai kishte ndeshje për të luajtur.
Por, disa orë më vonë, të shtënat me armë shpërthyen sërish pasi persona të armatosur e rrethuan hotelin në Omdurman, në qendër të Sudanit, duke u munduar që ta kontrollonin zonën.
28-vjeçari Taifour, mesfushori amerikano-sudanez, nuk e kishte ditur se këto të shtëna do ta shënonin nisjen e një lufte brutale që mori dhjetëra mijëra jetë dhe zhvendosi miliona të tjerë.
“I kemi parë ata nga dritarja e hotelit duke mbajtur armë”, ka thënë Taifour për agjencinë e lajmeve “AP”, këtë javë nga Kupa e Kombeve të Afrikës. “Ata qëllonin drejt avionëve të ushtrisë. Ishte krejtësisht e papritur”.
Taifouri dhe bashkëlojtarët, trajnerët dhe stafi mjekësor kishin mbetur brenda hotelit për më shumë se dy ditë, ndërsa ushqimi dhe uji i pijshëm kishin nisur të harxhoheshin. Ata u larguan kur u larguan edhe personat e armatosur.
Taifour u kthye në SHBA duke e lënë karrierën në Sudan, teksa ishte në kërkim të një ekipi të ri.
Eksperienca e tij është pasqyrë e shumë lojtarëve të tjerë sudanezë që janë detyruar të largoheshin nga shteti, duke i lënë anëtarët e familjes në vendin e shkatërruar afrikan, në kërkim të një karriere të nivelit më të lartë në futboll.
Lufta brutale
Lufta në Sudan u vlerësua nga OKB-ja si kriza më e madhe humanitare në botë. Shpërtheu në prill të vitit 2023 kur ushtria dhe forcat paramilitare “Rapid Support” bënë luftë të hapur, me vrasje të shumta e përdhunime.
Ky konflikt ka lënë të vrarë më shumë se 40 mijë njerëz sipas shifrave të OKB-së, por zyrtarët thonë se numri i saktë mund të jetë edhe më i lartë. Më shumë se 14 milionë njerëz janë larguar nga vendi, janë përhapur sëmundje dhe uria në disa pjesë të vendit.
Por, përfaqësuesja sudaneze, e njohur si “Skifterët e Guximshëm”, është këmbëngulëse dhe u kualifikua në Kupën e Kombeve të Afrikës, pavarësisht se stërvitjet dhe ndeshjet i luajti jashtë. Sudani madje e mposhti Ganën, duke e lënë jashtë turneut katërjavor.
Simboli i shpresës
Për shumë sudanezë, përfaqësuesja është bërë simbol i shpresës dhe bashkimit, dhe burim i rrallë i gëzimit për t’u larguar nga koha e vështirë e luftës. Para ndeshjes hapëse të Sudanit ndaj Algjerisë në kryeqytetin e Marokut, në Rabat, tifozët sudanezë shpërthyen në festë duke valëvitur flamuj e duke festuar nga makinat e tyre. Qindra prej tyre bërtisnin “Sudan!” dhe vallëzuan përgjatë rrugës për në stadium.
“Lufta ka shkatërruar shumë pjesë të shtetit dhe ka vrarë shumë njerëz të pafajshëm”, ka deklaruar për AP, lojtari i Sudanit, Mohamed Abuaagla.
“Të luash dhe të fitosh ndeshje, sjellë lumturi te njerëzit në shtëpitë tona atje. Do të mundohemi t’u sjellim buzëqeshje, pavarësisht vështirësive që ata po kalojnë.
Lojtarët janë përballur me shumë sfida. Pasi liga u suspendua shkaku i luftës, lojtarët u detyruan të luanin jashtë, kryesisht në Libi.
Dy ekipet më të mëdha të Sudanit, Al Merrikh dhe Al Hilal, garojnë në ligën e Ruandës. Më herët, kanë luajtur në kampionatin e Mauritanisë, ndërsa Al Hilali fitoi. Vitin e kaluar, Federata e Futbollit e Sudanit organizoi një “ligë elite”, garë me tetë ekipe që përfundoi brenda një muaji.
Abuaagla e humbi xhaxhain gjatë luftës.
“Ai ishte i sëmurë dhe nuk kemi mundur ta dërgonim në spital sepse gjendja ishte e rënduar nga luftimet”, ka thënë Abuaagla, duke u munduar t’i mbante lotët.
Të dy lojtarët kanë thënë se lufta është forcë shtytëse për lojtarët sudanezë në fushën e lojës. Ata bartin peshën e bashkëkombësve që po vuajnë, si në shtëpi apo jashtë vendit, dhe tani ndiejnë përgjegjësi të madhe për ta përfaqësuar Sudanin më shumë se kurrë.
Diçka për të festuar
Sudanezët mbështesin përfaqësuesen e tyre sepse shërben si simbol apolitik i shtetit, ka thënë për AP analisti politik, Thomas O’Donoghue. Kjo mund t’i bashkojë njerëzit dhe t’u kujtojë atyre diçka për të cilën ia vlen të festohet.
“Por nuk mendoj se ekipi i futbollit i vetëm mund t’i shtyjë palët drejt armëpushimit”, ka thënë O’Donghue. “Konflikti ka afro tre vjet që ka nisur dhe përfshinë palë vendore e ndërkombëtare, shumë prej të cilave janë me interesa ekonomike në Sudan.
Sudani e humbi ndeshjen e parë të Kupës së Kombeve të Afrikës nga Algjeria, por të dielën luftoi shumë në fitoren 1:0 ndaj Guinesë Ekuatoriale. Ekipi ishte i goditur nga lëndimet. Tre sulmuesit, kapiteni i ekipit dhe një mbrojtës i krahut nuk luajtën.
“Është situatë e vështirë. Ndonjëherë nuk ndihem rehat për të folur për këtë, por duhet që të pajtohem me ata që janë të gatshëm dhe që mund të luajnë”, ka thënë selektori i Sudanit, James Keesi Appiah pas humbjes nga Algjeria. Fitorja e së dielës i jep shpresë për avancim nga Grupi E, ndërsa do të vendosë ndeshja ndaj Burkina Fasos të mërkurën.
“Ky ekip sjellë gëzim, pavarësisht dhimbjes që kemi përjetuar në Sudan gjatë tri vjetëve”, ka deklaruar tifozi Badr-Edinne Zambel.
Lojtarët janë të vendosur të shkojnë sa më larg që është e mundur, e madje ëndërrojnë trofeun.
“Para çdo ndeshje, lutem për njerëzit në Sudan”, ka thënë Taifour. “Ata meritojnë gëzime dhe unë mundohem ta jap më të mirën për ata”.