Përfaqësuesja e Suedisë, e udhëhequr nga Kosovare Asllani nuk ka arritur të avancojë në finale të Kampionatit Botëror që po mbahet në Australi dhe Zelandë të Re. Suedia është eliminuar në gjysmëfinale të këtij turne, pasi të martën u mposht nga Spanja.
Ndeshja e luajtur në stadiumin “Eden Park” në Auckland të Zelandës së Re, përfundoi me shifrat 2:1 në favor të futbollisteve spanjolle. Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa në pjesën e dytë, u shënuan tre gola në 10-të minutat e fundit të ndeshjes për të përcaktuar fituesin.
Për Spanjën, kjo është hera e parë që arrin në finale të Botërorit, ndërsa Suedia pas eliminimit do të luajë për vendin e tretë. Finalisti tjetër dhe kundërshtari i Suedisë, do të përcaktohet pas gjysmëfinales tjetër mes Australisë dhe Anglisë që luhet të mërkurën.
Asllani ishte startuese ndaj Spanjës dhe luajti gjatë tërë ndeshjes te Suedia, ku edhe e barti shiritin e kapitenes. Për Asllanin, kjo ishte paraqitja e saj e pestë në këtë turne që nisi muajin e shkuar. Tani, Suedia do ta kërkoj vendin e tretë, sukses që e ka arritur në tri raste të mëparshme. Megjithatë, suksesi më i madh i Suedisë në Botëror, mbetet vendi i dytë në vitin 2003.