Fisnik Asllani e ka shënuar golin e parë me ekipin e dytë të Hoffenheimit, prejse u transferua në fund të qershorit te ky klub.
Sulmuesi shtatlartë realizoi në ndeshjen e parë si titullar, pasi u kthye nga një lëndim në muskul që e la jashtë fushave të blerta për një kohë të gjatë.
Hoffenheimi II fitoi në shtëpi kundër skuadrës Astoria Walldorf 3:0, ndërsa Asllani ishte realizator i golit të dytë në minutën e 67-të nga një distancë e largët.
Sulmuesi i talentuar kosovar nga fshati Sharban, për 31 minuta luajti edhe në fitoren e xhiros së kaluar kundër Stadtallendorfit, 2:0.
Me këtë fitore, skuadra e tij ka shkuar në kuotën e 19 pikëve pas 15 ndeshjeve dhe është në pozitën e 13-të. Asllani synon të vazhdojë me formë të mirë. Pret që shumë shpejtë të inkuadrohet edhe në ekipin e parë të Hoffenheimit.
Në edicionin e kaluar ku ishte pjesë e Union Berlinit në Bundesligën U19, Asllani shënoi 15 gola e 7 asistime në 16 ndeshje.
Takimi i radhës për Asllanin me ekipin e vet Hoffenheimin II, do të jetë në janar të vitit të ardhshëm në udhëtim te Schott Mainz.