Trajneri Arsim Thaqi thotë se e ka dëmtuar dorëheqja nga klubi i futbollit Drita. Por ai ka insistuar se dorëheqja ka qenë e pashmangshme. Thaqi insiston se nuk kishte presion për t’u larguar nga skuadra gjilanase.
Si Thaqi nuk kanë vepruar dhe nuk veprojnë shumë trajnerë. Shumica qëndrojnë edhe pse nuk kanë rezultate apo janë larguar nga objektivat. Largimet e trajnerëve në futbollin kosovar ndodhin kryesisht për shkak të shkarkimeve. Por Thaqi vendosi për dorëheqje, që u bë e ditur të hënën nga Drita e Gjilanit.
Drita është ende brenda objektivit. Është në garë për titull të kampionit. Por Thaqi u largua për, siç thotë ai, të mirën e skuadrës.
Arsim Thaqi mori drejtimin e Dritës në fillim të vitit. Skuadra gjilanase po garon me Ballkanin për titull të kampionit, ndërsa është Fnjë pikë prapa ekipit suharekas. Drita është e dyta me 57 pikë, kurse Ballkani në vendin e parë ka 58 pikë. Deri në fund kanë mbetur edhe shtatë xhiro.
“Kjo mënyrë si e imja është e zorshme te trajnerët e tjerë, pasi shumë prej tyre varen direkt nga kjo punë dhe nuk është e lehtë”, ka thënë Thaqi për KOHËN. “Kam mundur ta vazhdoj deri në fund të kontratës pa asnjë problem. Por u krijuan rrethanat e tilla dhe vendosa të largohem që t’i mundësohet klubit të reflektojë pa mua. Në interesin tim është që klubi të arrijë objektivin, më shumë sesa unë të rrezikoj karrierën time ndoshta. Edhe ashtu kam rrezikuar, jam më i dëmtuari aty”.
Thaqi insiston se dorëheqja nga posti i trajnerit është reflektim i situatës.
“Është një lloj reflektimi ndaj situatës. Provova të jap maksimumin, por ka qenë e vështirë duke ditur se nuk kam pasur dorë në ndërtimin e skuadrës, nuk kam pasur ndihmën e ndonjë asistenti teknik timin dhe të gjitha këto kanë ndikuar që t’i them klubit të vazhdojë pa mua. Ka edhe prej asaj që realisht nuk është pritur bash kështu, të paktën është dashur të ketë rezultate pak më të mira, por nuk kam mundur të ndryshoj, pasi katër vjet ka qenë një trajner dhe ka instaluar mentalitet tjetër. Thjesht nuk kam mundur të ndryshoj asgjë dhe kjo është arsyeja e largimit tim”, është shprehur Thaqi.
Ai lë të kuptohet se fondi i lojtarëve te Drita nuk ka qenë i mjaftueshëm. Por shton se lojtarët kanë mundur të reflektojnë më shumë në fushë.
“Vendimi ka qenë më shumë ndaj meje. Unë nuk ia kam falë vetes që kam pranuar që ata dy lojtarë të largohen nga Drita. Nëse klubi nuk ka pasur mundësi të sjellë lojtarë të rinj, është dashur që edhe ata dy lojtarët të jenë pjesë e Dritës. I kam treguar klubit që të gjithë lojtarët janë të paprekshëm. Në mënyrë figurative po e përshkruaj se klubi është si një muri me tulla dhe nëse njëra tullë largohet, atëherë është vështirë të vendoset një tjetër e njëjtë. I kam kërkuar të mos preken lojtarët, por ndodhën si ndodhën, ku lëvizën lojtarët dhe nuk erdhën lojtarët që i pritëm”.
Ai beson se Drita ka kapacitet për të dalë në fund kampione e Kosovës. Dorëheqja e Thaqit erdhi pas barazimit në udhëtim te Dukagjini, që e largoi Dritën nga pozita e parë.
“Unë besoj se Drita bëhet kampione, sepse realisht gjërat tjera janë në rregull, flas për aspektin financiar dhe ndoshta kthehen në identitetin e vet si ekip, sa i përket lojës dhe gjërave të tjera”, ka thënë Thaqi.
Ai më herët ka drejtuar edhe disa skuadra të tjera në Kosovë.