Kur prezantohej me emrin e tij tek të tjerët, fillonin të qeshnin dhe ia kthenin thuajse në të njëjtën mënyrë. Nuk e kishin idenë se ai po e thoshte emrin e vërtetë.
“Mirë, atëherë unë jam Liverpooli, ky është Manchester Unitedi, ajo Chelsea”, bënin shaka derisa prezantoheshin me emrat e skuadrave nga Premier League, para djaloshit që insistonte se emri i tij ishte i vërtetë.
Kështu i ka ndodhur për një periudhë të gjatë Arsenal Biqkut, derisa njerëzit me të vërtetë e kanë besuar se Arsenal është emri i tij i vërtetë.
Pra, nuk bëhet fjalë për Arsenalin, ekipin e famshëm nga Londra që garon në Premier League, por për Arsenalin, djaloshin nga Prishtina. Arsenalit i ka ndodhur që ta nxjerrë dokumentin e identifikimit për të dëshmuar se nuk po shpik asgjë në lidhje me emrin e tij.
Me emrin e Arsenalit tashmë janë mësuar shumë njerëz në Prishtinë.
“Sigurisht që në fillim sa ka qenë interesante ishte edhe shumë vështirë t’u shpjegoja njerëzve se quhem Arsenal. Madje në të shumtën e rasteve në fillim pothuajse nuk më besonte askush se emri im është Arsenal. Kështu që është dashur atyre t’ua argumentoj një gjë të tillë me dokumentet identifikuese”, tregon Arsenali.
“Kishte edhe momente të tjera interesante që kanë të bëjnë me emrin tim. Në disa raste kur jam prezantuar me emrin Arsenal, njerëzit në formë shakaje janë prezantuar para meje si Liverpooli, Manchester Unitedi, Chelsea, Tottenhami, Manchester City. E bënin këtë, sepse mendonin që unë po bëja shaka me ta”, thotë prishtinasi.
Arsenalit emrin ia ka lënë babai i tij. Edhe pse babai ishte tifoz i Arsenalit, ai nuk e emëroi të birin për shkak të skuadrës angleze. Ai vendosi që ta quaj Arsenal, që ka kuptimin e një tërësie të armatimeve, të një depoje të armëve dhe pajisjeve luftarake. Ndërkohë skuadra angleze njihet edhe me nofkën “revolveristët”. Ideja e babait të Arsenalit ishte ta emëronte të birin me një “armë të fuqishme”.
“Emrin Arsenal ma ka vënë babai. Mirëpo domethënia e emrit tim nuk kishte të bënte me emrin e skuadrës nga Anglia, Arsenalit, edhe pse babai im ishte në dijeni për këtë ekip. Ai e kishte idenë tek arsenali i fuqishëm i armëve që nënkuptohet në gjuhën tonë”, shpjegon Arsenali historinë e emrit të tij. “Edhe babai është gjithashtu tifoz i Arsenalit, gjë që ndoshta mund ta ketë nxitur për të më vënë këtë emër. Mirëpo, ai mendjen e ka pasur të kuptimi i emrit në gjuhën shqipe”.
Arsenali ndihet i veçantë me këtë emër, ndonëse në fillim kishte vështirësi për t’i bindur njerëzit. Thotë se është krenar me emrin e tij, që mbetet unik.
“Për mua është një emër tejet special pasi nuk e kam dëgjuar më parë një emër të tillë. Kur e them këtë, mendoj për ndonjë person, sepse këtë emër e ka edhe skuadra e Arsenalit. Kur dëgjonin për herë të parë emrin tim, pothuajse të gjithë befasoheshin dhe kishin raste kur më ngacmonin pasi gjithçka e lidhnin me emrin e ekipit nga Londra dhe mendonin se unë po bëjë shaka”.
Nuk është vështirë të qëllohet se për cilën skuadër evropiane bën tifo Arsenali prishtinas.
Megjithatë, skuadra e tij e zemrës mbetet Prishtina, me të cilën thotë se është rritur.
“Ekipi im i zemrës është Prishtina, pasi jam rritur duke i shikuar ndeshjet e klubit të qytetit. Mirëpo, sigurisht që Arsenali është ekipi evropian që më pëlqen dhe bëj tifo. Është normale që për skuadër evropiane e kam zgjedhur Arsenalin për shkak se këtë ma dikton edhe emri”.
Lidhja e Arsenalit nga Prishtina me Arsenalin e Londrës ka filluar pothuajse para dy dekadave. Ai ende nuk ka arritur ta shohë ekipin londinez nga afër, por shpreson që në një të ardhme të afërt të jetë i pranishëm në tribunat e stadiumit “Emirates”.
“Skuadrën angleze kam filluar ta përcjell nga viti 2001 dhe sigurisht që ndikim në këtë ka pasur emri. E kemi emrin e njëjtë. Kam shikuar shumë ndeshje të Arsenalit nëpërmjet televizorit dhe si fëmijë kam pasur dashuri të madhe për sulmuesin Thierry Henry”, thotë Arsenali, që tashmë tek Arsenali ka lojtarë tjerë të pëlqyer. “Edhe tani i përcjell ndeshjet e ekipit dhe jam tejet krenar që në skuadrën e Arsenalit ka shqiptarë, si Granit Xhaka e Shkodran Mustafi. Padyshim që tani lojtarët që i preferoj më së shumti tek Arsenali janë Xhaka e Mustafi”.

Ka shumë njerëz që i kanë propozuar Arsenalit të vërë kontakt me klubin e famshëm.
“Deri më tani nuk kam pasur asnjëherë mundësi ta shoh një ndeshje të Arsenalit nga afër, por shpresoj që shumë shpejt do të jem prezent në tribuna për ta përkrahur ekipin tim. Do të jetë emocionuese, sepse do të brohoras emrin tim për ekipin që luan në fushë. Do të jetë një lidhje e veçantë ta shoh nga tribunat skuadrën së cilës ia mbaj emrin. Më është sugjeruar të kontaktoj me ekipin e Arsenalit, pasi emri im është i veçantë dhe lidhet me klubin. Mirëpo nuk kam tentuar t’i shkruaj apo të bie në kontakt me klubin. Besoj se edhe për klubin do të ishte diçka e veçantë dhe interesante të dinin se mbaj emrin e ekipit nga Londra”.