Sport

Aro Muriq shfrytëzoi maksimalisht rastin e ofruar në Premier League

James Trafford ishte lojtari i vetëm i Burnleyt që kishte startuar në të gjitha 28 ndeshjet e para të edicionit në Premier League. Të shtunën ai mbeti në stol. Dhe me shumë

gjasë do të mbetet aty edhe në ndeshjet e ardhshme.

Portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, kishte debutim shumë pozitiv në Premier League. Ai ruajti portën e Burnleyt në fitoren e madhe, 2:1, ndaj Brentfordit. Ndeshja i takoi xhiros së 29-të të kampionatit anglez dhe Muriq u vlerësua shpëtimtar i skuadrës. Bëri shumë pritje vendimtare dhe në fund Burnley realizoi fitore.

Mediumi i fuqishëm, Sky Sports, e vlerësoi Muriqin me notën më të lartë – 9. E shpalli lojtar të ndeshjes po ashtu. Sky Sports ka shkruar se Muriq e ka shfrytëzuar rastin që ia dha trajneri Vincent Kompany.

Për pritjet e Muriqit ka shkruar edhe BBC dhe mediumet e tjera të mëdha angleze e po ashtu edhe mediat lokale të Burnleyt.

Portieri i parë i deritashëm i Burnleyt, Trafford, nuk ka shfaqu stabilitet deri më tani kështu që Muriqi mund të qëndrojë në portë deri në fund të edicionit.

Në Championship, edicionin e kaluar, 25-vjeçari Muriq ishte portier i parë dhe shfaqi formë të lartë. Por për Premier League, Kompany ka preferuar portierin e talentuar, të cilin megjithatë e la në stol të shtunën.

Burnley është në situatë të vështirë. I ka vetëm 17 pikë në pozitën e parafundit në kampionatit anglez. E pret betejë shumë e fortë për ta shmangur kthimin në kategorinë e dytë angleze. Deri në fund i ka edhe nëntë ndeshje.

Bashkëlojtarët e kanë vlerësuar lart paraqitjen e shtatlartit të Kosovës.

“Aro ishte brilant sonte. Ne të gjithë e dimë që ai është portier shumë, shumë i mirë. Aro u paraqit sot dhe ishte shumë i rëndësishëm për ne. Meriton shumë respekt dhe mendoj se të gjithë janë të kënaqur për të”, ka thënë mbrojtësi i majtë i Burnleyt, Charlie Taylor.

Aro Muriq është lavdëruar edhe nga mbrojtësi i qendrës, Dara O’Shea.

“Kemi pasur vështirësi për ta mbajtur topin jashtë portës. Mendoj se Aro ishte fantastik, njëjtë si gjithë të tjerët”, ka thënë O’Shea.

Aro Muriq tani grumbullohet me Kosovën për dy miqësore. Te Kosova vlerësohet i pakonkurrencë. Por ish-portieri i Manchester Cityt duket se është në pozitë të mirë edhe në skuadrën e Premier Leagues.