Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Arlindi i familjes së futbollistëve po bën hapa gjigandë në Finlandë

Ish-kapiteni i Kosovës, Anel Rashkaj, udhëhiqte mesfushën e SJK-së. Në skuadrën rivale, një futbollist që në të ardhmen mund të paraqitet te Kosova, po shkëlqente në krahun e majtë të sulmit. Arlind Sejdiu ishte prej më të mirëve te Honka, në ndeshjen e xhiros së tetë të kampionatit të Finlandës, të luajtur më herët këtë muaj.

Sejdiu 19-vjeçar është pjesë e një familjeje që ka dhënë shumë për futbollin kosovar. Arlindi është i lindur në Finlandë dhe ende po e mëson futbollin në këtë vend. Stili i Arlindit dallon prej atij që e luajnë shumica e skuadrave finlandeze, por njerëzit pranë tij vlerësojnë se te Honka po zhvillohet si duhet.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në të vërtetë, në Finlandë, Suedi e Norvegji zhvillohen shumë futbollistë nga Kosova. Disa prej tyre depërtojnë edhe në përfaqësuese të Kosovës e ndonjë edhe në përfaqësueset e këtyre vendeve. Arlind Sejdiu është njëri prej tyre.

Ai ka ndeshje për U-16, U-17 dhe U-18 të Finlandës. Tani është te U-19 dhe llogaritet prej lojtarëve kryesorë të saj.

Në edicionin e këtij viti të kampionatit finlandez, Sejdiu ka luajtur në tetë prej dhjetë ndeshjeve. Ka një asistim deri më tani, por me shpërthimet në krah shpesh e ka bërë dallimin.

“Ndaj SJK Seinajoki, Arlind Sejdiu ishte lojtari më i mirë në fushë”, thotë Elvis Osmani, ikonë e futbollistit mitrovicas, që tashmë jeton në Finlandë. Osmani përcjell rregullisht ndeshjet e kampionatit finlandez dhe mund të japë një vlerësim për talentin që po vjen.

“Prej kur Arlindi ishte në grupmoshat e reja të Honkas është vërejtur se ka potencial të madh. Karakteristikë e tij është shpejtësia. Është i fortë në lojën një kundër një. Mediat finlandeze e vlerësojnë shumë, por edhe tifozët po ashtu. Shpresoj që një ditë do ta shohim te Kosova”, ka shtuar Osmani, që përcjell rregullisht edhe ndeshjet e Superligës së Kosovës.