Skitari Arif Khan, që po paraqitet në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”, është i veçantë me uniformën e tij që ka ngjyrat e flamurit të Indisë. Khan e bart këtë uniformë sepse gjithmonë ka qenë i bindur se do të kishte mundësinë ta përfaqësonte shtetin e tij në një ngjarje të madhe.
Në sllallom të madh, ku gati gjysma e garuesve nuk e përfunduan garën, Khan si përfaqësuesi i vetëm i Indisë e dinte se duhej të arrinte deri në fund të shtegut në Yangqing. Këtë duhej ta bënte për miliona indianë që e shikonin.
Shiva Keshavan, i cili përfaqësoi Indinë në Lojërat Dimërore të vitit 1998 në “luge”, i tha Khanit që thjesht “të qëndrojë i qetë, të skijojë normalisht dhe ta përfundojë garën në mënyrë që të frymëzojë njerëzit në Indi”. Dhe pikërisht këtë e bëri Khan. 31-vjeçari ishte në mesin e 46 skitarëve që e përfunduan garën, prej 89 sa ishin gjithsej. Ai doli i 45-ti dhe ishte gati 38 sekonda prapa fituesit të medaljes së artë, zviceranit Marco Odermatt.
“Kam mundur të kem kohë më të shpejtë, por unë skijova normalisht pasi doja ta përfundoja garën për vendin tim, të cilin po e përfaqësojë në Pekin. Pra synimi ishte vetëm të mos rrëzohem”, tha ai.
Si e zbuloi Khan skijimin
Arif Khan ka lindur në Gulmarg, në shtetin malor indian të Jummu dhe Kashmir. Rajoni është i njohur për shumë dëborë, thotë Kahn, dhe tërheq shumë skiatorë. Babai i tij ende zotëron një dyqan skijimi atje dhe e inkurajoi atë të merrej me këtë sport kur ishte katër vjeç, duke i bërë një kodër të vogël pranë dyqanit që të lëshohet. Në vitin 2008, Khan u transferua në Zvicër për të ndjekur ëndrrën e tij, ta përfaqësojë Indinë në Lojërat Olimpike Dimërore. Ai u stërvit me klubet zvicerane si sportist ndërkombëtar dhe mori pjesë në garat lokale.
“Ajo që më ndihmoi ishte përdorimi i vendpushimeve të ndryshme të skijimit që ishin me kushte të mira. Zvicra më ka ndihmuar shumë të rritem si skitar”, shtoi Khan.
Ai bëri debutimin ndërkombëtar në moshën 16-vjeçare në një ngjarje të rinjve në Yomase, Japoni dhe që atëherë ka vazhduar të marrë pjesë në më shumë se 130 ngjarje ndërkombëtare. Dhjetorin e kaluar ai u bë sportisti i parë indian që fitoi normën për kualifikim direkt në Lojërat Olimpike në dy disiplina të ndryshme, sllallom dhe sllallom të madh.
Zgjimi në pesë të mëngjesit është pjesë e rutinës së tij të përditshme. Kështu që ai mund të shkojë në mal në ora gjashtë dhe të skijojë deri në mesditë. Ai ende stërvitet në Gulmarg, ku po përpiqet gjithashtu të ndihmojë gjeneratën e ardhshme të skiatorëve të arrijnë ëndrrat e tyre olimpike. Por pjesën më të madhe të stërvitjes e bën në Evropë.
“Gulmargu mund të ofrojë një trajnim bazë që mund t’i çojë skitarët në ngjarjet bazë ndërkombëtare, ndërsa për Olimpiadë duhet infrastrukturë shumë më e mirë”, pranoi ai.
Skijon për gjeneratën e ardhshme
Ambicia personale është vetëm një pjesë e motivimit të tij për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Pekinit. Ai e shtyu përsëri dasmën për t'u stërvitur dhe për këtë arsye përfundimi i shtegut në sllallom të madh ishte kaq e rëndësishme për indianin.
“Ka qenë ëndrra ime për 15 vjet që të përfaqësoj Indinë në Lojërat Olimpike. Të shohësh këtë ëndërr të realizuar do të thotë shumë”, tha Khan.
Khan është skitari i 13-të indian dhe i dhjeti në skijimin alpin që merr pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore. Ai pothuajse përfaqësoi Indinë në Lojërat Olimpike të Pyeongchang, por mbeti pa fonde, ndërsa përpiqej të kualifikohej. Për vite me radhë babai i tij ka ndihmuar në financimin e karrierës së Khanit. Por, sipas Khan, i duhen rreth 100,000 euro në vit për të financuar ëndrrën. Kësaj radhe 40 për qind e financimit vinte nga një kompani, ndërsa ai mori fonde edhe nga Qeveria në Jammu dhe Kashmir. Pjesën tjetër e financoi vetë duke punuar edhe si instruktor skijimi.
“Ka pasur raste kur më është dashur të heq dorë, por kam rifilluar dhe kam punuar për ëndrrën time”, tha skitari.
Me sllallomin e madh pas tij, Kahn do të garojë sërish në Pekin të mërkurën, në sllallom. Ai shpreson që pjesëmarrja jo vetëm të frymëzojë gjeneratën e ardhshme të indianëve për të zgjedhur skijimin si sport, por gjithashtu të prezantojë Indinë si një destinacion skijimi për pjesën tjetër të botës.
“Në Indi, ne kemi një popullsi prej 1.4 miliardë njerëzish dhe unë jam një përfaqësues për të gjithë këta”, tha ai. “Me të vërtetë do të thotë shumë për mua”.