Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Argjentina e Brazili pritet të jenë pjesë e Ligës së Kombeve

“UEFA Nations League” pritet të zgjerohet dhe do të përfshijë dhjetë shtete nga Amerika e Jugut në edicionin 2024, ka thënë të premten zëvendës-presidenti i UEFA-s, Zbigniew Boniek.

Në lëvizjen që parasheh kundërshtimin e qartë ndaj FIFA-s për organizimin e Kampionatit Botëror çdo dy vjet, UEFA dhe Konfederata e Amerikës së Jugut (CONMEBOL), ditë më parë nënshkruan një marrëveshje tjetër, duke e vazhduar Memorandumin e Mirëkuptimit. Kjo është bërë si shenjë e përkushtimit për hapjen e zyrës së përbashkët të UEFA-s dhe CONMEBOL-it në Londër, si dhe potencialit të organizimit të ngjarjeve të ndryshme të futbollit.

Tashmë është konfirmuar se “Finalissima” ndeshja e parë ndërmjet fituesit të Kampionatit Evropian të organizuar nga UEFA dhe fituesit të Kupës së Amerikës, do të organizohet në Londër më 1 qershor të vitit 2022. Në këtë përballje, do të luajnë Italia me Argjentinën.

“Ky do të jetë formati i fundit i Ligës së Kombeve”, ka thënë të premten Boniek, ish-president i Federatës së Futbollit të Polonisë, në një intervistë dhënë të premten. “Kemi pasur takim me CONMEBOL-in, shtetet e konfederatës së futbollit të Amerikës së Jugut. Që nga viti 2024, skuadrat e këtij kontinenti do t’i bashkohen kësaj gare. Në çfarë formati do të zhvillohet? Jemi duke punuar në të. Orari i ndeshjeve për përfaqësuese është i kufizuar dhe duhet të gjejmë zgjidhje”.

Boniek gjithashtu bëri të ditur se gjashtë skuadrat më të mira të shteteve nga Amerika e Jugut - Argjentina, Brazili dhe me shumë gjasë Kolumbia, Kili, Peruja dhe Uruguai - do të marrin pjesë në Ligën A të Ligës së Kombeve. Do të jenë ndeshje të nivelit më të lartë, pasi do të ballafaqohen me skuadra si Spanja, Gjermania, Anglia dhe Franca, insistoi Boniek. Këto përfaqësuese të Evropës nuk kanë mundur të përballen me ato të Amerikës së Jugut, qëkur ndeshjet miqësore të përfaqësueseve janë zëvendësuar me Ligën e Kombeve.

Katër skuadrat e tjera nga Amerika e Jugut që pritet t’i bashkohen Ligës B të Ligës së Kombeve, pritet të jenë Bolivia, Ekuadori, Paraguai dhe Venezuela. Ende nuk është i qartë plani se si UEFA do ta organizojë këtë ngjarje, pasi do të ishin 22 shtete pjesëmarrëse në Ligën A dhe 20 të tjera në Ligën B. Aktualisht, këto dy liga kanë nga 16 ekipe, të ndara në katër grupe me nga katër përfaqësuese.

Edhe FIFA kundër idesë që në Ligën e Kombeve të përfshihen dhjetë përfaqësuese të Amerikës së Jugut Sport FIFA kundër idesë që në Ligën e Kombeve të përfshihen dhjetë përfaqësuese të Amerikës së Jugut

Të gjitha ballafaqimet pritet të luhen në Evropë për t’i reduktuar udhëtimet e gjata. Ndërkohë, FIFA ende nuk e ka bërë publike kalendarin e garave të përfaqësueseve prej viti 2024 e më vonë, por dëshiron që Kupën e Botës ta organizojë çdo dy vjet, ndërsa gara kontinentale, si ajo e Evropianit, të zhvillohet në mes të dy vjetëve.

UEFA dhe CONMEBOL-i e kanë kundërshtuar këtë plan, siç kanë bërë edhe shumë liga evropiane dhe përkundrazi, kanë shtyrë përpara planet e veta, duke llogaritur në datat në të cilat FIFA dëshiron t’i përdorë për ngjarjen e saj. Duke krijuar një turne që shumica do ta quanin Kupë të Botës me pjesëmarrje më të vogël të skuadrave, e duke marrë parasysh faktin se çdo fitues i Botërorit vjen nga Evropa apo Amerika e Jugut, do ta shtonte presionin te FIFA, që si opsion e ka edhe krijimin e Ligës Botërore të Kombeve.

“Ne jemi në bisedime të vazhdueshme për ta realizuar këtë plan, që sipas meje është shumë i rëndësishëm për futbollin”, është shprehur Boniek.