Manchester City do të përballet me Real Madridin të martën mbrëma në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Ky duel do t’i vërë përballë sërish Pep Guardiolan dhe Carlo Ancelottin, dy trajnerë të mëdhenj me mënyra krejtësisht të ndryshme të bërjes së punës së tyre.
Rikthimi i Real Madridit kundër Manchester Cityt në gjysmëfinalen e edicionit të kaluar ishte kaotik. Disa spekuluan se ishte magjia e “Santiago Bernabeut”. Sigurisht, askush nuk mendoi se ishte taktika. Në minutën e fundit të ndeshjes sulmuesi Karim Benzema kishte vrapuar në krahun e djathtë dhe më pas në të majtë, për të vënë në qendër topin për zëvendësuesin Rodrygo, i cili shënoi të parin nga dy golat që i nevojiteshin Realit për të barazuar rezultatin. Pjesa tjetër ishte histori. Detajet ishin çmendurisht të vogla. Guardiola u ankua se nuk pati fat dhe haptazi pranoi zhgënjimin e tij që nuk po mund të triumfojë në këtë garë për më shumë se një dekadë.
Carlo Ancelotti ngriti një vetull dhe në fund ishte ai që kërcente në fushë në Paris me lojtarët e tij pas fitores së Realit në finale ndaj Liverpoolit.
Kontrasti midis këtyre sy trajnerëve është i madh, por le të fillojmë me krahasime.
Të dy janë ish-mesfushorë që e kanë ngritur trofeun evropian si lojtarë. Të dy e kanë fituar atë si trajnerë. Guardiola dy herë me Barcelonën. Ancelotti dy herë me Milanin dhe dy herë me Real Madridin.
Nëse City fiton dy ndeshjet e ardhshme në shtëpi dhe jashtë, Guardiola do të barazohet me Sir Alex Ferguson me 102 fitore në Champions si trajner. Atëherë do të ishte vetëm një njeri përpara tij në listë. Ai njeri është Ancelotti, rivali tij në “Bernabeu” të martën (21:00). Ndërsa rivaliteti i Guardiolas me Juergen Kloppin ka qenë një tipar i Premier Leagues dhe koha e tij në Spanjë u formësua nga rivaliteti me Jose Mourinhon, ai dhe Ancelotti janë dy trajnerët që kanë luajtur më së shumti gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Përplasja e tyre është një rivalitet idesh, sepse përfaqësojnë dy mënyra shumë të ndryshme për të bërë punën e trajnerit.
Kontrasti i stilit të lojës nuk është aq i madh, por thjesht mund të jetë më intrigues, sepse ndryshimi midis tyre ka të bëjë më shumë se sa taktika, ka të bëjë me parimet. Loja pozicionale e Guardiolas ka frymëzuar një brez trajnerësh. Është një ideologji që mund të mësohet, të përqafohet. Rregullat e Ancelottit janë më pak të përcaktuara. Nuk ishte gjithmonë kështu. Si një trajner i ri në Parma, ai refuzoi mundësinë për të transferuar Roberto Baggion sepse ishte shumë i lidhur me idenë e sistemit 4-4-2 të Arrigo Sacchit. Ishte një mësim që ndryshoi qasjen e tij ndaj menaxhimit.
Gjysmëfinalja e parë kundër njëri-tjetrit ishte në vitin 2014 dhe rezultoi në një fitore të madhe për Realin e Ancelottit. Guardiola ishte i shqetësuar për formacionin e tij te Bayern Munichu për ditë të tëra, duke ndryshuar mendje dy herë përpara se të vendoste për një vendim për të cilin do të pendohej, duke humbur 4:0 në shtëpi. Karakteristikë e Ancelottit është që përgjegjësinë t’ua japë lojtarëve të tij.
“Dëshira ime e vetme është që çdo lojtar të ketë mundësinë të punojë me të”, tha Cristiano Ronaldo. Ancelotti nuk ka pasur kurrë probleme me yllin portugez.
“Në fakt ai m’i zgjidhi problemet”, pati pranuar italiani.
Ancelotti nxori më të mirën nga ai takim me Bayernin, por ajo që ndodhi kur zëvendësoi Guardiolan te Bayerni ishte se theksoi të metat në qasjen e tij. Fillimisht lojtarët u shfaqën pothuajse të trullosur.
“Ai na beson që të marrim vendimet tona në fushë”, tha portieri Manuel Neuer.
Por pa kaluar shumë kohë, ajo filloi të zbërthehej. Ndryshimi ishte shumë i madh për të shkuar pa probleme.
“Pep Guardiola është i fokusuar në detaje, me shumë analiza”, do të shpjegonte më vonë Joshua Kimmich. “Pastaj është Carlo Ancelotti i cili është shumë i qetë dhe nuk ndryshon drejtpërdrejt në qasje me lojtarët”.
Të dyja rrugët funksionojnë, por ato funksionojnë në mënyra të ndryshme. Ndoshta nuk është rastësi që Guardiola ka qenë më i suksesshëm në fitimin e ligave sesa Ligës së Kampionëve. Dy në 13 përpjekje janë çuditërisht pak duke pasur parasysh shkëlqimin e ekipeve të tij. Ai ka fituar 10 tituj të ligës.
Ancelotti është e kundërta. Ai mund të ketë fituar Ligën e Kampionëve si trajner më shumë se kushdo tjetër, por edicioni i kaluar ishte i pari ku ai fitoi edhe ligën vendase bashkë me Champions. Ai ka fituar të pesë ligat kryesore evropiane, por vetëm nga një herë.
Edhe taktika e bën në veten në këtë sukses, qoftë të ligës apo Championsit. Por taktika udhëhiqet nga nevojat e individit. Në finalen e Ligës së Kampionëve, Ancelotti zgjodhi një formacion që i kërkoi Valverdes të mbrohej në të djathtë në një mënyrë që Viniciusi nuk duhej ta bënte në të majtë.
City këtë edicion po vlerësohet favorit edhe në baste dhe atë për një arsye. Në radhët e veta ka sulmuesin Erling Haaland që ka shpërthyer në edicionin e tij të parë në Angli. Por, nëse Haaland nuk shfrytëzon rastet dhe Thibaut Courtois është i frymëzuar, atëherë Reali do të avancojë në finale. E bukuria e këtyre dy dueleve gjysmëfinale është përplasja e trajnerëve të mëdhenj me qasje të kundërta.