Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, nuk e ka komentuar zgjatjen eventuale të kontratës së Luka Modriqit me klubin madrilen.
Trajneri italian vlerëson se vendimi është në duart e yllit kroat. Mesfushori ka dhënë kontribut për 12 vjet te Reali. Atij i kanë mbetur më pak se gjashtë muaj në kontratë, ndërsa ende nuk ka vendosur nëse do ta vazhdoj apo do të largohet nga Madridi.
“Ne festuam me Modriqin, sepse meritonte të shënonte një gol të madh që na dha tri pikë. Ai kishte freski. Ai tregon se është shumë vështirë të përshëndetemi. Jo vetëm për shkak të golit, por për shkak të mënyrës sesi ai stërvitet çdo ditë”, ka thënë Ancelotti.
Modriq të dielën mbrëma shënoi supergol në fitoren 1:0 të Realit ndaj Sevillas në La Liga. Ishte goli i dytë në 21 ndeshje e këtij edicioni në elitën e futbollit spanjoll.
Ka pasur raportime se 38-vjeçari mund t’i bashkohet Ancelottit në stafin e trajnerëve. Por ende nuk ka vendim përfundimtar nga ylli kroat i futbollit.