Sport

Amerikania Tolefree do ta udhëheqë lojën e Kosovës, afrohen edhe dy shqiptarë nga Maqedonia e Veriut

Përfaqësueset e Kosovës në basketboll vazhdojnë të përballen me mungesë të lojtarëve. Për këtë arsye, i domosdoshëm mbetet natyralizimi i basketbollistëve, pra afrimi i lojtarëve nga vendet tjera.

Vitin e ardhshëm për herë të parë do të garojë në skenën evropiane Përfaqësuesja A e Kosovës në basketboll për femra. Dhe bartëse do të jetë një lojtare amerikane, e natyralizuar nga Kosova. Edhe në përfaqësuesen e basketbollistëve do të vazhdojë procesi i natyralizimit. Ndonjë amerikan do të shtohet në ekip, por po afrohen edhe basketbollistë shqiptarë, shkruan KOHA.

Basketbollistja amerikane Alexis Tolefree dhe basketbollistët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, vëllezërit Jetmir e Lejson Zeqiri së shpejti do të bartin fanellën e Përfaqësueses A të Kosovës, në të dyja konkurrencat. Këtë e kanë konfirmuar edhe në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), të premten për KOHËN.

Drejtori i përfaqësueses Granit Rugova ka thënë se tashmë kanë nisur procedurat për t’i pajisur me pasaporta vëllezërit Zeqiri derisa sa i përket amerikanes Tolefree, procedurat do të nisin ndërkohë.

“Ne si federatë vazhdimisht jemi në kërkim të lojtarëve potencialë që mund të kontribuojnë jo vetëm te përfaqësueset A, por në të gjitha ekipet e Kosovës. Pra, jemi në kontakte me të gjithë ata që mendojmë se janë të nevojshëm për ta ndihmuar dhe ngritur nivelin e lojës te Kosova”, është shprehur Rugova.

Amerikania Tolefree luan në pozitën e fundores dhe sipas Rugovës do të jetë ndihmesë e madhe për ekipin A të femrave, që është formuar muaj më parë dhe do të debutojë vitin tjetër në skenën evropiane. Tolefree gjithashtu në edicionin 2020/21 do të luajë në ligën e femrave në Kosovë me fanellën e skuadrës së Prishtinës, me të cilën tashmë ka firmosur kontratë dhe është regjistruar në FBK. Tolefree sezonin e fundit ka qenë pjesë e kolegjit të NCAA, Arkansas Razorbacks dhe ka luajtur me një mesatare prej 16.3 pikësh, 4.3 kërcimeve dhe 2 asistimeve. Megjithatë, Rugova ka lënë të hapur mundësinë që tek ekipi i femrave të natyralizohet eventualisht edhe një lojtare tjetër edhe pse vetëm një e huaj mund të jetë në parket gjatë ndeshjes.