Prishtinë, 30 janar – Në fund të muajit shtator, KBF KosovaHome Prishtina e zyrtarizoi basketbollisten amerikane Alexis Tolefree. Në njoftimin e klubit nga kryeqyteti thuhet se pas bisedimeve që zgjatën disa muaj e kishin bindur fundoren amerikane që karrierën si profesioniste ta niste në Kosovë. Mirëpo për shkak të situatës me pandeminë e koronavirusit, ishte paralajmëruar se Tolefree do t’i bashkohej ekipit më vonë. Dhe ashtu ndodhi, pasi Tolefree iu bashkua Prishtinës pas gati katër muajve. Fundorja i është bashkuar Prishtinës pa filluar stinori pranveror dhe në dy ndeshje të zhvilluara deri më tani ka dëshmuar se bëhet fjalë për një lojtare cilësore. Në ndeshjen e parë, atë kundër Trepçës në kampionat, Tolefree ishte më e dalluara te Prishtina me 34 pikë. Ndërsa më e dalluara ishte edhe në fitoren ndaj Vëllaznimit në kuadër të gjysmëfinales të Kupës së Kosovës. Në këtë triumf, Tolefree regjistroi 32 pikë dhe ia siguroi Prishtinës kualifikimin në finale, ku do të përballet me Bashkimin vikendin e ardhshëm në Suharekë.
E Tolefree pranon se te Prishtina ka ardhur për të fituar trofe. Pasi humbi në Superkupë nga Bashkimi, Prishtina synon që këtë edicion ta mbyllë me titullin e kampionit dhe me Kupën e Kosovës.
“Ndihem mirë kur jam në gjendje ta ndihmoj ekipin. Dhe në çdo ndeshje jap maksimumin për ta ndihmuar ekipin që të shënojë fitore. Për këtë arsye edhe kam ardhur”, tha Tolefree kur u pyet për paraqitjen e saj fantastike në dy ndeshjet e para. “Vetëm sa kam ardhur këtu dhe mendoj se tashmë jam adaptuar në ekip. Po ndihem shumë mirë dhe sigurisht që synimet janë të mëdha. Jo vetëm unë, por gjithë ekipi dëshiron që edicionin ta mbyllim me trofe”.
Tolefree thotë se vendosi të vinte që të luante në Kosovë pas përfundimit të kolegjit për arsye se te Prishtina u treguan shumë të arsyeshëm dhe korrektë me të. Ajo ka qenë pjesë e kolegjit “Arkansas Razorback” dhe edicionin e shkuar ka luajtur me një mesatare prej 16.3 pikëve, 4.3 kërcimeve dhe dy asistimeve.
“Ekipi dhe trajnerët janë shumë të mirë dhe jam e kënaqur te Prishtina. Pas bisedave me trajnerët, mendova se ardhja në Kosovë do të jetë një fillim i mirë për karrierën si profesioniste”, shtoi Tolefree dhe insiston se nuk është pishman që ka zgjedhur elitën e basketbollit të femrave në Kosovë si hap të parë për karrierë në Evropë. “Më kanë mirëpritur të gjithë dhe po më pëlqen edhe Prishtina si qytet, ndonëse është shumë më ndryshe se në SHBA”.
Tolefree thotë se edhe liga është interesante duke pasur parasysh se të gjitha ekipet e femrave kanë të angazhuara basketbolliste amerikane në radhët e veta. Është hera e parë në historinë e këtij sporti të femrave në Kosovë që gjashtë klubet, të cilat e përbëjnë Superligën kanë angazhuar nga dy amerikane, gjithsej 12. Krahas fundores Tolefree, Prishtina në radhët e veta ka edhe qendrën Da’Jah Daniel.
“Kam vetëm dy ndeshje deri më tani në Kosovë dhe ende nuk e njoh mirë ligën, por duke pasur parasysh se të gjitha ekipet kanë lojtare amerikane në radhët e veta, duket të jetë interesante”, tha Tolefree.
Edhe
Amerikanja Tolefree i bashkohet Kosovës më 24 qershor
Aktualisht ekipi i trajnerit Shatri zë vendin e tretë në tabelë me 18 pikë të mbledhura, ku në 11 ndeshje të luajtura ka regjistruar shtatë fitore e katër humbje. Megjithatë, krahas synimeve me fanellën e Prishtinës, Tolefree këtë vitet pritet të jetë edhe bartëse e Përfaqësueses së Kosovës që për herë të parë do të garojë në skenën ndërkombëtare. Tolefree do të natyralizohet nga Kosova dhe tashmë edhe në procesin e kompletimit të dokumentacionit. Natyralizimin e fundores amerikane e patën konfirmuar muaj më parë edhe në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), duke shtuar se Tolefree do të jetë një ndihmë e madhe për “Dardanet”. Kosova tashmë është paraqitur për pjesëmarrje në FIBA kampionatin për shtete të vogla që pritet të mbahet në muajin qershor, ku do të marrin pjesë edhe Norvegjia, Irlanda, Malta, Andorra, Qiproja, Gjibraltari e Luksemburgu. Me punën dhe paraqitjet e fundores Tolefree deri më tani ka mbetur i kënaqur edhe trajneri i Prishtinës, Fidan Shatri, që gjithashtu është edhe përzgjedhës i ekipit të femrave të Kosovës.
“Tolefree është një lojtare fantastike dhe jam shumë i kënaqur që në ekipin tonë e kemi një përforcim të tillë. Një lojtare si ajo do të na ndihmonte shumë edhe te Kosova, për shkak se bëhet fjalë për një basketbolliste me cilësi të mëdha. Gjithashtu, përvoja e saj do të jetë e dobishme për shkak se Tolefree vjen nga një kolegj që ka një konkurrencë shumë të madhe”, shtoi Shatri.
E derisa të vijë koha për amerikanen Tolefree që ta bartë fanellën e Kosovës, ajo do të përkujdeset ta udhëheqë Prishtinën drejt trofeve deri në fund të këtij sezoni.