Ish-mesfushori i Kosovës, Enis Alushi ka thënë se nuk ka biseduar me asnjë drejtues të Federatës së Futbollit të Kosovës për ndonjë pozitë në ndonjërën prej grupmoshave të përfaqësueses së Kosovës.
Ai thotë se ka pasur një bisedë me zëvendësdrejtorin e Përfaqësueses A të Kosovës, Samir Ujkanin, por ka insistuar se nuk ka asgjë konkrete. “Kam pasur kontakt me Samir Ujkanin, por asgjë konkrete nuk është diskutuar. Nuk ka asgjë konkrete. Nuk kam biseduar me asnjë konkretisht për ndonjë pozitë apo kushte tjera”, ka thënë Alushi për KOHËN.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës një intervistë ka thënë se Alushi, Anel Rashkaj, Albert Bunjaku do të angazhohen në ekipet zinxhirë të Kosovës.
Alushi vite më parë u pensionua nga futbolli. Ai ka pasur karrierë të pasur si futbollist. Për Kosovën ka luajtur gjashtë ndeshje. Karriera e tij kryesisht është zhvilluar te skuadra të njohura në Gjermani.