Boksieri i peshave gjysmë të rënda deri në 79.4 kg, Altin Zogaj, jeton në Stuttgart të Gjermanisë dhe synon ta arrijë suksesin e titullit të Gjermanisë, të Evropës dhe të Botës.
25-vjeçari i është kyçur boksit profesionist dhe deri tani ka zhvilluar tri meçe.
I ka fituar që të tria, dy prej tyre me nokaut. Para çdo lufte, ai, në prapavijë, e ka këngën “Marshi i UÇK-së”, e cila i jep zemër edhe më shumë.
Por, fillimi i karrierës së tij në boks është i veçantë, pasi në të kaluarën Zogaj ishte pjesë e sportit më të popullarizuar në botë, futbollit, ku nuk pati karrierë të gjatë. E la futbollin shkaku i obligimeve personale, por, më pas, falë të vëllait Milotit, i cili po ashtu është boksier, jeta e një futbollisti, mori rrugëtim tjetër, raporton KT V.
Në boksin amator boksoi deri në maj të këtij viti, në kategorinë e mesme, gjysmë të rëndë dhe të rëndë. Boksin amator me atë profesionist e krahason me sprintin dhe maratonën në atletikë.
Ai thotë se duhet punë dhe disiplinë më e madhe në boksin profesionist, pasi edhe kundërshtarët janë shumë më të fortë.
Edhe
“Bild” shkruan për boksierin shqiptar që hoqi plot 50 kilogramë dhe po kërkon titujt
Si model për t’u përcjellë i ka vëllezërit Klitschko.
Në luftën e fundit, më tre nëntor, në Wangen të Gjermanisë, Zogaj përballë e pati boksierin hungarez Istvan Zeller, boksier ky që kishte 38 fitore në boksin profesionist.
Meçin e radhës, djaloshi nga Drenasi, pritet ta ketë në dhjetor, por kundërshtari ende nuk është bërë i ditur.