Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, ka hezituar të konfirmojë pozitën e saktë të Cristiano Ronaldos në fushë, por ka shtuar se nuk dyshon që ylli portugez do të dëshmohet i suksesshëm te kampioni i Serie A. Ronaldo 33-vjeçar, në fillim të këtij muaji u prezantua te Juventusi, me të cilin ekip firmosi kontratë katërvjeçare.
Ai iu bashkua Juventusit nga Real Madridi ku i kaloi nëntë vjet dhe u bë golashënuesi më i mirë në histori të klubit me 450 gola në të gjitha garat. Ronaldo ende nuk i është bashkuar Juventusit në stërvitje. Pritet që të debutojë muajin e ardhshëm me të, shkruan sot Koha Ditore.
Ai më 30 korrik do të jetë në Torino për të nisur stërvitjet, kurse do të debutojë më 12 gusht në një ndeshje miqësore, një javë para fillimit të edicionit 2018/19 në Serie A. Ndeshjen e parë në edicionin e ri, Juventusi do ta luajë në udhëtim kundër Chievos.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)