Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Alimi i bashkohet Maqedonisë së Veriut

Isnik Alimi

Mesfushori Isnik Alimi i është bashkuar Përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar federata e futbollit të këtij vendi të enjten.

Alimi është shtuar në listën e përzgjedhësit Blagoja Milevski për ndeshjet kualifikuese të “Euro 2024” këtë muaj. Alimi tashmë i është bashkuar ekipit dhe në mbrëmje do ta mbajë stërvitjen e parë.

29-vjeçari është pjesë e skuadrës nga Rumania, Sepsi ndërsa kjo është hera e parë që ftohet nga Përfaqësuesja A e Maqedonisë së Veriut.

Ai ka luajtur për gjeneratën U17 e U19 të Maqedonisë së Veriut, ndërsa ka paraqitje edhe për U21 të Shqipërisë.

Këtë edicion, Alimi ka shënuar 4 gola dhe ka bërë 1 asistim në 12 paraqitje për Sepsin.

“Alimi po tregon paraqitje të shkëlqyera në kampionatin rumun me Sepsin. Përvoja e tij dhe forma në të cilën ndodhet vetëm sa mund të rrisë konkurrencën në ekipin tonë dhe të na sjellë cilësi shtesë", tha trajneri Milevski.

Maqedonia e Veriut të shtunën luan në shtëpi kundër Italisë në kuadër të kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm, ndërsa tri ditë më vonë përballet në udhëtim me Maltën.

Aktualisht, Maqedonia e Veriut zë vendin e parafundit në Grupin C kualifikues me tri pikë të mbledhura në po aq ndeshje të luajtura.

Artikuj të ngjashëm