Sport

Alijaj e krahason Vojvodën me Cancelon e Manchester Cityt

Mbrojtësi i krahut, Mërgim Vojvoda, është padyshim një nga protagonistët kryesorë të momentit te skuadra e Torinos. Ai po tregohet konstant në perfomancën e tij në ndeshjet e fundit si futbollist i krahut të majtë. Ka dhënë dy asistime në dy ndeshje radhazi, kundër Fiorentinës dhe Sampdorias, të cilat Torino i ka fituar. E paraqitjen e Vojvodës në krahun e majtë, menaxheri i tij, Ardian Alijaj, e ka krahasuar me atë të Joao Calcelos të Manchester Cityt. Portugezi Cancelo është njëri prej lojtarëve që nuk e ka problem të luajë në dy krahët e mbrojtjes.

“Si një lojtar që luan me këmbën e djathtë, në fillim nuk ishte i bindur se mund ta gjente veten mirë në anën e majtë. Por ai nuk tha asnjë fjalë, punoi në stërvitje atë që ia kërkoi trajneri. Tani ne shohim rezultatet. I thashë ta merrte shembull Cancelon e Manchester Cityt, një nga skuadrat më të forta në botë, i cili është me këmbën e djathtë, por di të përshtatet shumë mirë në të majtë duke hyrë në fushë për të gjuajtur ose harkuar me këmbën e djathtë. Tani për tani ai po ia del mbanë”, ka thënë Alijaj të hënën në një intervistë dhënë për “Toron News”.

Mbrojtësi 26-vjeçar i Kosovës me Torinon këtë edicion ka luajtur 14 ndeshje në Serie A të Italisë. Alija insiston se ka pritur shpërthimin e Vojvodës në Serie A.

“Për mua, që e njoh mirë, nuk është çudi ta shoh atë të shprehet në këto nivele. Në një kuptim absolut, nuk kam pasur kurrë asnjë dyshim për cilësitë e tij. Ai kishte nevojë vetëm për besimin dhe vazhdimësinë. Ai është ushtar i trajnerit, ekipit dhe klubit. Profesionalizmi dhe disponueshmëria e dallojnë atë, asnjë fjalë pa vend dhe cilësi të shkëlqyera teknike, siç po shohim tani. Mërgimi është një lojtar i vërtetë”, është shprehur Alijaj.

Futbollisti nga Kosova te skuadra e Torinos u transferua në shator të vitit 2020 nga Standard Liege. Karrierë ka bërë edhe te Mouscroni dhe Carl Zeiss Jena. Me Torinon, Vojvoda ka kontratë deri në qershor të vitit 2024. Alijaj ka konfirmuar se Vojvoda nuk do të largohet shpejt nga Torino.

“Nëse do të isha në klub do t’ia lidhja kontratën e përjetshme, sepse ai ka cilësi të shkëlqyera nga të gjitha këndvështrimet. Është shumë i lumtur në Torino. Shkon mirë me ekipin, shoqërinë dhe qytetin. Nga dita në ditë e kuptojmë se zgjedhja e Torinos ishte e duhura”, ka thënë Alijaj.

Vojvoda edhe te Kosova në disa raste është paraqitur në krahun e majtë. Ka luajtur 43 ndeshje, ndërsa ka shënuar një gol. Para se t’i bashkohej Kosovës, Vojvoda luajti nëntë ndeshje për U-21 të Shqipërisë.